Wednesday, July 16, 2025
BallinaVitrina e libritRudina Muharremi Beja-ATJE...!

Rudina Muharremi Beja-ATJE…!

ATJE…!

Atje më presin gërmadhat e shtëpisë
dhe dallëndyshet që vijnë përherë e më rrallë
Më presin nën dhè zambakët e vdekur
dhe hijet e të parëve ende gjallë…


Kalldrëmi pret që të m’i puthë këmbët
kodra që heshtur m’i ruan kujtimet
arna e qiellit, hardhia që qan
dhe porta qemerëlartë e diellit


Më presin pemët që s’i mbajnë më frutat
oborri ku dikur ulej perëndia
Më pret hija e qenit që vdiq prej mërzisë
kur u largova nga shtëpia.


Nëna më pret e lutet me psalme
kur muzgu shtrin krahët mbi qytet
zhaurima e detit, tufanët e rreptë
dhe pusi plot brenga e dert.


Pulëbardha varrosur brenda një vale
burimi me mijëra shtëmba thyer
kujtimet burgosur brenda një fjale
dhe lumi që shkon për t’ mos u kthyer.


Pikëllimi ulur më pret mbi gurë
heshtja nëpër gërma tashmë thinjur
pemët me buzët që dridhen në ethe
dhe ëndrrat me gjethet gremisur…


Atje, më presin gërmadhat e shtëpisë,
dallëndyshet që vijnë përherë e më rrallë
Më presin nën dhè zambakët e vdekur
dhe hijet e të parëve, gjallë…

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT