Gjykata Themelore në Pejë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore për ta caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj V.S., mësuesi që akuzohet për sulm seksual ndaj një nxënëse të klasës së shtatë në Deçan.
Ngjarja ndodhi të hënën në shkollën “Lidhja e Prizrenit” në Deçan, ku mësimdhënësi në fjalë u filmua teksa puth dy herë, pa pëlqimin e saj, nxënësen e kësaj shkolle.
“Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit V.S, i dyshuar për vepër penale sulmi seksual nga neni 229 par.7 lidhur me par.6, par.3 nënpar.3.10 dhe par.1 të KPRK-së dhe vepër penale kanosja nga neni 181 par.4 lidhur me par.1 të KPRK-së”, bën të ditur njoftimi.
“Të pandehurit iu caktua masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj, pasi që gjykata konstatoi se kërkesa e prokurorit është e bazuar dhe në masën e duhur e arsyetuar, duke pas parasysh peshën dhe mënyrën e kryerjes së veprave penale që i vihen në barrë si dhe faktin se në këtë çështje pritet të dëgjohen dëshmitarët dhe të dëmtuarit, rrethana këto që dëshmojnë se me gjetjen e mundshme të pandehurit në liri, i njëjti mund të përsërisë vepra të njëjta apo të ngjashme penale apo mund të ndikojë në dëshmitarë dhe të dëmtuar”., thuhet tutje.
Andaj, mbi bazën e të lartcekurave, e me qëllim të zhvillimit të procedurës në mënyrë të drejtë dhe zbardhjes së plotë të gjendjes faktike, gjykata erdhi në përfundim se masa e paraburgimit është masë e domosdoshme në këtë fazë të procedurës dhe se masat e tjera nuk janë të mjaftueshme për sigurimin e prezencës së të pandehurit në procedurë dhe mbarëvajtjen e kësaj çështje penale. Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit”.
Kujtojmë se pasi u bë publik rasti, mësimdhënësi është suspenduar nga puna.
dyshuari e ka mohuar sulmin seksual, por që sipas dosjes së prokurorisë, kjo është bërë me qëllim të ikjes nga përgjegjësia penale, ngase video-incizimi i kësaj ngjarjeje e vërteton të kundërtën.
Sipas dosjes së prokurorisë, i dyshuari V.S., dyshohet po ashtu se ka kanosur edhe personin apo dëshmitarin që e ka bërë video-incizimin e rastit në fjalë.