Wednesday, August 6, 2025
BallinaVitrina e libritPajtim Xhelo-E lodhe dashurinë e bekuar

Pajtim Xhelo-E lodhe dashurinë e bekuar

E lodhe dashurinë e bekuar

Ç’të të them më nuk di, mu mbaruan fjalët,
edhe dashuria lodhet si çdo gjë.
ashtu si deti në agim harron valët,
tu mpinë krahët dhe nuk u ktheve më.


E treti besën tënde dheu dhe zalli,
si burbuqe çele në pranverën tjetër,
s’ta rëndoi zemrën as brenga, as malli,
sytë nuk i ktheve nga rrugic’ e vjetër.


Sa shpejt e harrove atë kambanare,
që ëndrrat na i përcillte çdo mëngjes,
dhe jehona, si një vajzë lozonjare,
fishkëllente anembanë pa kujdes.


Ty s’të pëlqeu nektari im me vesë,
provove polenin luleve si bleta,
si Helena u largove pa pendesë,
në Trojë të ndëshkoi fati dhe jeta.


Uleshe mbi lulet, po lule nuk mbete,
e dije që koha do ish veç pranverë,
pas vitesh, kur pranverën më nuk e gjete,
dimri të mbylli në një vetmi të mjerë.


Ti nuk ishe zog që këndon në kafaz,
as drenushë që nuk largohet nga pylli,
s’doja shpirti të të tretej në maraz,
s’doja netët mos të t’i ndriçonte ylli


Nuk të ndala kur të rrëmbeu stuhia,
se dhe me flladin ti do ikje një ditë,
ti mysafire shkoje te dashuria,
edhe në errësirë, edhe në dritë.


Dikur tu mbyllën portat një e nga një,
ishe mysafire e pa dëshiruar,
as bukurinë s’e kishe tanimë,
e lodhe dhe dashurinë e bekuar.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT