Mbrojtësi i Ballkanit, Armend Thaqi beson se skuadra e Ballkanit është favorit kryesor për ta fituar titullin edhe në edicionin e ardhshëm në Superligën e Kosovës në futboll.
Thaqi, i cili njihet si një nga lojtarët më të mirë në Kosovë tash e disa vite thotë se Ballkani ka fuqi për ta mbrojtur titullin edhe në stinorin 2023/24.
“Mund të them lirisht se jemi favoriti kryesor për me mbrojtë titullin kampion, për shkak se nuk e shoh që një ekip mund të na e marrë, konkurrencë normalisht se do ketë deri në fund, por jemi favorit dhe shpresojmë ta fitojmë përsëri”, tha fillimisht Thaqi për ‘SportON’ në Radio Urban FM.
Kujtojmë se Ballkani ka fituar titullin në dy vitet e fundit në elitën e futbollit kosovar.
Ai poashtu shton se klubi i tij është përgatitur mirë për ndeshjen e Championsit ndaj Lugogoretsit.
“Jemi përgatitur mirë, s’kemi mungesa dhe kjo na bën të shpresojmë për rezultate të mira. Është ekip i madh Ludogorets, e dimë që do jetë e vështirë. Është skuadër që luajti në Europa League e Champions League, por ne nuk dorëzohemi. Ndeshjen e parë e luajmë në Prishtinë tek Fadil Vokrri. Duhet të jetë nata jonë, momenti ynë – ta tregojmë mentalitetin dhe frymën që e kemi, pasi e përfaqësojmë Kosovën. Do japim më të mirën”, përfundoi ai.