Monday, September 1, 2025
BallinaVitrina e libritCikël poetik me vargjet e poetit Sahit F.Osmani

Cikël poetik me vargjet e poetit Sahit F.Osmani

FLIJIM KËRKOHET SËRISH

Sonet

I pandryshuar mbetesh porsi guri,
zemra të ruan të jetosh denjësisht,
flijim prapë duhet të ringrihet muri
aty ku enkas e shembin pabesisht.

Dora të gdhend e të ngre në lartësi,
atje ku krenaria jote këtë dëshiron,
shkallëve të jetës pa shkelur asgjë
e te pragu i derës ndarja të rëndon.

Dhe me dhembshuri zemra të ther,
për humbjen s’do kërkosh mëshirë,
i pandryshuar do t’mbetesh, si gur.

Në tokë, edhe nëse vdekja të merr,
për t’u ngjitur lart është e vështirë,
flijim tjetër duhet të ringresh mur.

DUKE THITHUR AJRIN
E DY EPOKAVE

Kam lindur pas mesit të shekullit
të kaluar
dhe në fillim të këtij shekulli jetoj
duke thithur ajrin e të dy epokave
në kohë dhe në hapësirë qëndroj

Shtigjeve të vështira që s’di se si
valët në ç’brigje do të më hedhin
jeta mes lumturisë dhe të keqës
më tundon vazhdimisht s’ndalet

Ditëve të gjata e netëve të errëta
rrugëve t’spërdredhura çuditërisht
pa mëshirë koha duke më shkelur
me terr e dritë fijeve të shpirtit

Në gjysmën e dytë të atij shekulli
jetoja me kohën e rinisë sime
kur zemrën ma ndizte dashuria
dhe unë fluturoja mes ëndrrimeve

Herë-herë n’mbretërinë e errësirës
urrejtja në zemër më ka sunduar
por një vështrim e një buzëqeshje
dashurinë nga robëria m’ka çliruar

Dhe jetoj në fillim të këtij shekulli
në pjesën e shëndoshë të tokës
sime
me tërë moshën e atyre brezave
që u flijuan për vendlindjen e tyre

TË DEHUR NGA ËNDRRAT

Shmangia jonë nga qendra e rëndesës,
Na bën të humbasim drejtpeshimin,
Të tjetërsohemi duke hyrë në zonën e ndërprerjes.

Na përzihet gjaku, jeta bëhet e hidhur,
Shkëputemi prej trungut, prej atij shkëlqimi të lashtë,
Dihet zanafilla jonë, dhe s’e fshehim ndonjëherë krenarinë;
Për shembëlltyrën e qëndresës, për ajrin që e thithim,
për plagët në trup, të mbuluara me petkun e qenies sonë.
Për petkun mbrojtës nga rrebeshet e stinëve historike.

Tani, të tëhuajtur me një letërnjoftim të ri
Duke u ngjitur shkallëve të botës pambarim
Të pajisur pa pajtim shpirtëror me artifice
Detyrojmë veten që të jetojmë më ndryshe,
Të mendojmë ndryshe, të ecim ndryshe.

Të dehur nga ëndrrat
Lejuam ta sulmojnë nga brenda
Kryeqytetin e lirisë
Për të na e përmbysur e për të na e shkulur edhe shpirtin
Nga rrënjët tona të mbështjella me dashuri e përjetësi.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT