SOT 85 VITE NGA VDEKJA E MIGJENIT
Tuberkulozi e kishte përndjekur vite të gjata si një demon i pamëshirshëm “shenjtorin” e poezisë shqipe. Por hapat e tij fundit nisën gushtin e 85 viteve më parë, hapa të cilët rendën gjëmimshëm në zbrazëtinë që do të gërryente grahma e tij e mbrame.
Më 12 gusht 1938 Migjeni shtrohet në spitalin “Opsadale Valde”, Bari, Itali.
Tre ditë më vonë, “poeti i mjerimit” i nënshtrohet një operacioni të rëndë, ku i hiqet një pjesë e madhe e mushkërisë.
Më 15 gusht 1938 bie në koma, për të mos u përmendur më. Gjendja e tij në koma vazhdoi plot 11 ditë.
Më 26 gusht 1938, afër mesnatës zemra e Migjenit kishte ndaluar.
Fiket për me mbet nji prej kushtrimeve ma t’zashme të kohës. Përmes penës së tij, prej andjes dhe zemrës, kaq shumë të dhanun ligshtimit, ai skaliti me zjarm rrufeje vargje dhe strofa, poezi dhe himne, t’cillat kan met urdhnuese e kushtrus në vetëdijen e brezave. E kush erdhi këso jete e u mëkue prej kësaj fryme të shenjtë, e nuk u ba një zelltar i përkushtuem i këtij shenjtori, këtij besimi, kësaj force përtrimjet, këtij shkasi motivimesh t’epërme e ngulmesh t’zjarmta.
Ai iku për me mbet i gjall në përjetësinë e momenteve gjëmuese.
Nga Albert Vataj.