Ndjesë…!
kam harruar të shkruaj….
gishtërinjtë e mi të ngrirë heshtin,
si statuja që i dhembin kohës…
sytë e mi
kapin vështrimin
mbi gjithçka që më rrethon,
ç’tingull ka zëri i jetës së vrarë
në trupin e një flete,
ku lë zbuluar mendimet e mia
që zhveshin zemrën,
dhe veshin ankthin
me pendët e një pëllumbi të plagosur…!
Si ta bëj kur
instinkti,
emocioni,
liria
gërshetohen në majë të penës
dhe shqetësohen
për njeriun..!?
Unë gjithmonë
e mbështet
shpirtin tim lakuriq tek fjala,
aty ku jeton
një botë paralele
që rrëzon mure
e zgjeron vende,
ku emocionet e mia
marrin një rrugë të pafundme,
në një kohë që zhduket
dhe lë jetim
rrjedhën e një kuptimi…!
Sot, nuk di të shkruaj…
por ndiej më shumë dhimbje
për një pikë a presje
që s’e kam vënë…!
Ndjesë…!
ndjesë…!
Kjo botë e marrë
ma shtrydhi shpirtin
po aq sa ty….
mbase në një mundësi të dytë
do të di të shkruaj
për ato që jeta na ka mohuar…!