Një Gjeneral me alfabet Atdhesie
Dashurinë në zemër sa një Botë.
Një jetë veç me hymne Lirie.
Një pushkë e mendje që ndërroi një Epokë.
Ti atë ditë zgjuar ishe Gjeneral.
Atë mëngjes të korrikut të përcëlluar.
S’pandehje se hienat do të sulmonin
Në meditim kredhur për Tokëjonen e trazuar.
Me nënë Havën dertonit për Nënëloken
Për flakën e lirisë që po shtrihej maleve
Pas dimrave shekullorë të trollit në robëri
Hallet Atdheut ia qanit si nëna me fëmijë.
Ti i pari ndër të parët-lavdia e Ashtit.
Po flisje për Drenicën, për Jezercin.
Për njësitet e çetat e reja, për çlirimtarë.
Anadrinisë, Pashtrikut, relievit tonë syzjarr.
Endrrat ia shpalosje nënës për Motin e Madh
Për legjendat që po shkruheshin maleve
Për Bacë Ademin, Hamzën, të rënë në Altar.
Ti Korife i krushqeve të lirisë, ti Fanar.
Legjendat nuk vdesin, të gjalla mbesin.
I thoshe atë dite nënës në oborr, diellzjarr
Dhe s’pandehje se vetë legjendë do të bëhesh
Hero i Kombit në zemra qëndisur në lapidar.
Kopenë e ujqëve s’e pandehje atë ditë
As thikat e xhelatëve në zemër, në shpirt
Njëherë jam lindur në Stubëll të Poshtme, the.
Njëherë do të vdes-Apostull për Atdhe.