Wednesday, August 6, 2025
BallinaVitrina e libritTeuta Beqari Osmani-Babai…!

Teuta Beqari Osmani-Babai…!

Babai…!

Jo më kot e kisha bezdi të dilja pazareve, kur më dërgonte babai me listën e ushqimeve në një letër në dorë, të shkruara me llogari .

Nuk e di përse e kisha kaq inat të dilja nëpër rrugët e Kamzës, e të shkoja sikur dhe vetëm për bukë.

Më dukej sikur të gjithë më shikonin mua, e pse shpesh herë më pëlqente të vishesha bukur, pasi dhe në paraqitje isha tërheqëse me flokë të gjatë e kaçurrela, e gjatë dhe e dobët.

Kisha një ecje elegante, sa shpesh më thoshin “se je shumë tarngëllikëse”, që nga shoqet e klasës dhe në lagje.

S’e di pse ndjeja ngurresë të dilja e të më shihnin, më dukej sikur do thoshin ”ja doli kjo për t’u dukur”.

Mbaj mënd që kur isha 20-vjeçe, e jepej Mis Albania, në kohën e Valbona Selimllarit, dhe Valbona Çobos (vajzës së poetes Reshida Çobo), kur shumë vajza më thoshin “përse nuk shkon të konkurosh në Mis Albania?!”

Dhe pa u kthyer përgjigje fare, vetëm u buzëqeshja.

Por, unë thosha me vete, “ mua më vjen zor të dal në rrugë për të bërë pazarin, e jo më të shkoj e të nxjerr trupin për Mis Albania, apo po të fitoj, për në Mis Evropa, apo Mis Bota’, eh sa ia bëja qejfin vetes me këto tituj, por prapë më pëlqenin se si më drejtoheshin vajzat, pasi u pëlqeja. U pëlqente paraqitja ime. Mendo pastaj, meshkujve në rrugë po të më shihnin.

Në fakt unë as lyhesha, as me të kuq, e as me lapsa sysh me ngjyra. Por veç një krehje të lehtë u jipja kaçurrelave, se sa po të rrija t’i krihja me fije më fije, do më merrnin një orë kohë përballë pasqyrës. Dhe kështu, po aq origjinale dhe natyrale, më pëlqente vetja ime dhe trupi im.

Më pëlqente tipi dhe karakteri im, mënyra se si ecja, si flisja, si reagoja dhe se si mendoja.

Kur ndërkohë moshataret e mia blinin roba të modës së fundit, ndërsa unë vishesha thjeshtë me rrobat që më dërgonte motra nga Greqia.

Të paktën vishja atë që më shkonte.

Dhe ndonjëherë kur dilja për në Tiranë, vishja taka të larta dhe fustan të mirë, gjithmonë me mamin dhe me babin, jo vetëm.

Eh, në ato raste dukesha petëndeshë, me pak të kuq buzëve dhe një laps të zi sysh, ndryshoja komplet.

E në ato raste i thosha babit e mamit, “O ba, mos dalim nga katërrugëshi, më mirë dalim nga lulishtja”, por babai e kuptonte ngurresën tkme për atë që nuk dilja në katërrugësh edhe kur më thoshin të blija bukë.

Por, në fakt, dilja domosdo vetëm kur shkoja me autobuz për në shkollë profesionale në Tiranë.

E atëherë, filluan të më pyesnin të gjithë në autobuz “e kujt je ti moj vajzë”

E unë ubpërgjigjesha;” Vajza e pestë e Bedri Osmanit”

Si moj si?!

E Bedriut je ti?!

Po si nuk të kemi parë ?

E unë çuditesha me çudinë e tyre, se si këta njerëz një jetë në Kamëz nuk më njohkan.

Gjithësesi, mbase më dinin fëmijë, derisa kuptova veten që po rritesha dhe nuk dilja shpesh në katërrugësh vetëm, por rrallë e me babain ose me mamin. Dhe atëhere kur dilja me babain shëtitje, e pyesnin se vallë isha mbesa (vajza e madhe e motrës së madhe), por babai me krenari u përgjigjej” e kam vajzën e pleqërisë, të pestën nga vajzat dhe të fundit”.

Një herë kur po kthehesha nga kursi, nga Tirana, m’u qep një kamzali e po më ndiqte deri tek shkallët e pallatit.

Por në këtë moment, zbret babai (Heroi im) nga shkallët, dhe shpëtova.

Thash me vete, “sa mirë që qëlloi babai në këtë moment, se kushedi seç do më bënte Ai , do të më ndalonte e do më shikonin komshijet, dhe hajde të merresha nëpër gojërat e tyre…”

Vazhdon!

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT