Milot Selmani paraqitet suksesshëm në letrat shqipe me librin e titulluar “Arti i të larguarit”. Në këtë libër, janë prezantuar një numër i konsideruar poezive dhe prozës poetike të ndara në pesë cikle: Lidhjet toksike; Besnikëria; Vlera; Dhimbja dhe Femra.
Autori arrin që në faqet e këtij libri përvojën e tij jetësore ta bashkëdyzojë me atë letrare dhe të krijojë një stil të tijin. Ai hap dritaren e dhomës së tij krijuese prej nga e shikon botën, nxjerr ngjyrat e vrojtimeve të veta dhe i brumos ato në vargun poetik. Në këtë kontekst, pavarësisht nga burimi i frymëzimit dhe ndërlikueshmëria e procesit krijues, krijimtaria e tij si tërësi nuk është abstrakte, por në shumicën e rasteve është e hapur, komunikative, e afërt emocionalisht dhe e kuptueshme edhe për lexuesin e rëndomtë.
Miloti nuk e mbingarkon poezinë artificialisht me figura letrare, përkundrazi ato i vë në funksion të formës, të përmbajtjes dhe të mesazhit. Të tilla figura si metaforat, epitetet, krahasimet, antitezat, shkallëzimet e të dy llojeve janë më të preferuarat e këtij poeti, i cili di t’i përdorë ato me masë dhe me mjeshtëri, duke shtuar kështu vlerat artistike të tekstit dhe duke e bërë atë shumë të qartë për çdo kategori lexuesish…
Botues:
Sh.B. “Thesari”, Prishtinë
Redaktor:
Demir Reshiti
Recensensues:
Besim Cena
Redaktor gjuhësor:
Arton Ahmetaj
Ballina:
Metin Selmani
Përgatitja teknike:
Studio a&a design
Shtypi:
Lena Graphics Design, Prishtinë
Autorit i urojmë suksese të reja në krijimtarinë artistike dhe nga pena e tij presim botime të tjera. (D.Reshiti)