Edon Zhegrova njihet si një futbollist ekzibicional, i cili i ka në “gjak” driblimet, të cilat i dhurojnë kënaqësi të jashtëzakonshme atij, por edhe publikut.
Ylli kosovar ishte protagonist edhe në ndeshjen e mbrëmshme në barazimin e Lillet ndaj Lensit, pasi asistoi në golin e mysafirëve dhe bëri paraqitje të shkëlqyeshme.
E Lille në uebfaqen e vetë zyrtare e ka bërë një shkrim për përfaqësuesin kosovar, duke i përmendur 6 driblimet e kompletuara të tij në ndeshje me Lensin.
“Ky është numri i dytë i tij më i lartë në total i driblimeve në Ligue 1 pas ndeshjes kundër Auxerre në prill të këtij viti (8). Që nga fillimi i sezonit, ai i ka kompletuar 21 driblime në ligën elitare. Vetëm Rayan Cherki ka më shumë driblime këtë sezon (24) para lojës Rennes – PSG , njofton Lille.
Zhegrova u shpall lojtari i ndeshjes dje, ndërsa është bërë lojtar mjaft i rëndësishëm i Lillet, ku qëndroi së paku edhe këtë sezon përkundër ofertave që i kishte gjatë verës që shkoi.
Ai i ka zhvilluar shtatë ndeshje në Ligue 1 deri tash në këtë edicion duke e realizuar një gol dhe duke e bërë një asistim për 417 minuta sa luajti, shkruan “Gazeta Express”.
Gjithashtu e ka shënuar një gol edhe në kualifikimet e Ligës së Konferencës. /Gazeta Express/