Te ti fshihet dielli
Veç për ty hedh vargje në letër
Të shuaj mallin që më djeg në shpirt,
Sa ty në botë nuk dua askënd tjetër
Sa vështirë e kam ta kaloj këtë ditë.
S’të kam pranë e përsëri të shoh ty
E kjo ndodh se ti je tik- tak zemre,
Edhe pse nuk mund të puthë në sy
Ditë e natë veç në ty më rri mendja.
Si një amazonë më helmohet dita
Porsi gjethe vjeshte jam tharë e zhuritur,
Në natën e gjatë në ëndrra të prita
Largimi yt për pak më ka lajthitur.
Atje pas teje më fshihet dielli
E unë rri dhe kërkoj gjithë ditën,
E kur pa re i kaltër është qielli
Sytë e mi të kërkojnë ty si dritën.
Pa shije më duken frutat e vjeshtës
Si uthull e thartë më bëhet vera,
Se ti je arsyeja, motivi im i jetës,
E prej merakut po më plas zemra.
Kur më thërret një çast në telefon
Nga gëzimi me krahë sikur fluturoj,
Zemra ime drithërohet e gufon
E ndër krahë fort të pushtoj.
Si lulet e pranverës ty do të pres
Dimrit të ftohtë do t’i bëj ballë,
E kur dielli do shkëlqejë në mëngjes
Do shuhet në shpirt ky mall i madh.