SHPIRTI IM
Shpirti im!
A i ndjen gjurmët e vitit që shkon,
të festave që aviten me hapin e trishtë
përmes zhvendosjes ngjethëse të reve,
athëtisë që udhëton me shputa ere
për të zbritur oxhakëve që vjellin tym,
sofrave kërrusur në pikëllim
e rrëqethjes vizatuar në mornica,
teksa pema
përvjedhur nën një duhmë mjegulle
ndez dritat e përhumbet vezullimave
e rrek forcën e fundit të frymëve?
Shpirti im, mos më braktis!
Mos u venit mbrëmjeve të kotura,
tërsëllimës shurdhuese të thërrmimit të ëndrrave,
as çjerrjes së heshtjeve.
Shembi katakombet ku djajtë hedhin valle
e lyp agime pa dënesë,
mos i tkurr krahët
murit të lartë të mjegullave,
mos u trishto mungesës së përqafimeve
as mpirjes së shqisave
mbyllur burgjeve me rrangullina
e xhama plot rrëzëllima,
atyre që vetë ndërtuam
me pragun më të akullt se kurrë…
Vish buzëqeshjen që për ty gdhenda
me smeraldë e lima
dhe frymën time,
e qëndro gjithmonë me mua!