Kur të vdes unë mbylle derën me çelës dhe pi e pi atë natë
Hapi shishet e verës që nuk pimë dot bashkë
( Zot, janë shumë, një kantinë e tërë,)
Pi edhe shamë që të tradhtova me vdekje
Burrë i pabesë, …si uji në rërë…
Kur të vdes lexo nja dy këngë të miat, të trishta
Pastaj grisi në dysheme
(Pa pikë mëshire, pa lot,)
Më shaj që nuk të këndova siç e meritoje,
Që s’t’u bëra poeti më i mirë në botë.
Për inatin tim nxirri gjinj jashtë këmishës
Më thuaj: ja ku i kam akoma plot jetë,
(Ç’t’i bëj tani pa ty, zuzar,)
Po tashmë kam ikur e si të ta them
Që për to do të rrotullohem
Edhe brenda në varr…