Saturday, December 21, 2024

Violeta Kadriu-

ASKUJT MË DUKE I BESUAR
E tretur, e harruar nga e gjithë bota,
duke pritur, e lënduar, për një ditë më të mirë,
e përthyer, e grimëcuar, ashtu siç thehet në mijëra copash gota,
ah, sa e rëndë kjo pritje, pa shpresë, ah, sa e vështirë!


Pritje e gjatë, përplot ankthe e drithërime,
strukur në një dhomë të vetmuar,askujt më duke i besuar,
ditët e bardha e plot shpresë i shoh vetëm në vegime,
ah, sa po vuan e heq ky shpirti im i pranguar!


Mugulloi pranvera, çelën e u vyshkën gjethet,
unë ende në këtë dhomë idhtake,qëndroj e ngujuar,
sa e sa herë nga shpresë e vrarë, më zunë e s’ m’ u hoqën ethet,
nga dorë dinake e mizore, me pelin idhëtuar!


Oh, ngritu shpresë nga varri vetëm për një ditë,
se kush s’ po ma di hallin sa e vetmuar jam,
ma mbush këtë errësirë shpirti vetëm me pak dritë,
se askush s’ po ma di , sa derte e hidhërime në zemër kam!


A qe valë e lumit ajo që më vrau,
a qe erë e blirit ajo që më përthau,
a dielli i padritëruar,ai që më verboi,
a dashuri e pashijuar pranë Tij,ajo që më shkrumboi?!


Për një ditë të vetme njëqind vjeçe u plaka,
në pikë vere më ngriu acari, njëkohësisht më poqi flaka,
në pranverat e viteve të mia, përnjëherë lulet u thanë,
në kupë të kaltërsive ujore, sytë e mi shkretëtirën panë!


Ti m’ i the në pikë të majit diellit tim ” fiku”,
frutit të dashurisë sonë,ende pa u pjekur” piku”,
ti m’ u the ujëvarave të shpirtit” ndaleni gurgullimën”,
zogjve të të gjitha stinëve të mia”, ndaleni cicërimën”!

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT