Rastet e vjedhjeve e grabitjeve të armatosura në vendin tonë tashmë janë shpeshtuar.
Sipas raporteve të fundit të policisë bëhet e ditur se vetëm për dy ditë kanë ndodhur pesë raste të vjedhjes së rëndë dhe një grabitje e armatosur.
Rasti i fundit ndodhi gjatë ditës së djeshme ku si pasojë e një grabitje të armatosur, dyshohet se u vodhën rreth 50 mijë euro në këmbimoren e kriptovalutave në Prishtinë
“Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se derisa ishte duke punuar në lokal, dy persona të panjohur të maskuar dhe nën kërcënimin e armës i kanë grabitur një shumë parash dhe janë larguar në drejtim të panjohur me motoçikletë. Njësitë relevante policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke e hetuar rastin për të cilin është njoftuar edhe prokurori”, thuhet në njoftimin e policisë.
Në një rast tjetër në Skenderaj, një mashkull ka raportuar se persona të panjohur kanë depërtuar në shtëpinë e tij dhe kanë vjedhur stoli ari.
Ndërkaq, në fshatin Gjinoc-Suharekë, raportohet se dy të dyshuar meshkuj kosovarë kanë vjedhur një makinë për prerjen e barit në objektin fetar të xhamisë.
“Me 18.12.2023 është raportuar se dy të dyshuarit meshkuj kosovarë, në objektin fetar të xhamisë, kanë vjedhur një makinë për prerjen e barit e cila është sekuestruar”, thuhet në Raportin 24-orësh të policisë.
Ndryshe, para një dite, policia ka njoftuar për dy raste të vjedhjes së rëndë në Obiliq dhe në Zveçan.