Në gjysmë errësirë
Dëgjova të hapej dera
Hapa të lehta…heshtje e thellë … hapa të lehta
Nuk kishte fytyrë të maskuar
As fytyrë hajduti
Në dorë nuk mbante armë
Veç një libër dhe… qefinin
Erdha të marr i harruari im i dashur
Kaq e pate … t’u sos qiriri
Ishte vdekja
Me mandat nga Kaini…
Prit, mezi munda të them
Besomë se tek ti do të vij, sepse
Që ditën kur linda
E dija se, yti një ditë do të isha
Prit…Po, prit të lutem
Të puth dhe një herë diellin
Në stinën e të vjelave.
Të shikoj sa gëzon dega, kur të skuqet molla
Rrushin musht të ëmbël
Kur plot mbushen koshat.
Të shoh kur mbarojnë të vjelat,
Dhe tufën në kthim nga kullota
Të shoh si gëzojnë shqerrat.
Prit… Tek ti do të vij, tek ti…
Me ty në mendje jetoj çdo çast
Mes teje dhe jetës, s’di çfarë dua më shumë
Veç lermë t’ia dëgjoj këngën thëllëzës
Kur këndo më gëmushë.
Mrrmë pasi të kem parë ata fëmijë të uritur
Ngopur me bukën
Me bukën gatuar nga ëndrrat e mia
Të shoh faqen e hënës ulur në sofër
Bashkë me nënat
Që bijtë dhe bijat nga luftrat i kanë humbur
Lermë në fytyrën e tyre
Të shikoj buzëqeshjen
Dhe në sytë e tyre kur të vallëzojë liria
Asnjëherë nuk të jam fshehur
Në prehërin tënd kam kam mbështetur kokën
Pritëm…
Bashkë të ngremë një dolli
Më shenjë lamtumire për kohën që kaloi.
Dhe të mos ja urojmë kurrë kthimin
Do të vij…
Më thuaj ç’të marr me vete si kujtim
Një kovë me lot a një thes buzëqeshje
Për të larl me dritën e hënës
Do të marr ngrohtësi nga dielli
Më lerë të marr në krah gjithë dhimbjet e kësajë bote
Dua të jem i fundit i vuajturi i kësajë token.
Do të vë në kokë kurorë me gjethe ulliri
Pa maska do të ndjek ngadalë
Fytyrën, ah fytyrën do ta laj me rreze mëngjesi
Më thuaj. Më thuaj të lutem vdekje e dashur
Që ditën kur linda më vure emrin kalimtar
Qefinin që më solle vetë do ta vesh
Zbathur në pistën e vallëzimit do të zbres
Më se dëshiron një vals me ty të kërcesh
Valsi i vdekjes ta quaj ndonjë poet
Më prisni pak
Dua të lë një testament
Si trashëgimi e ditëve të mia
Dua ta shkruaj me dorën time të lirë
Asnjë pikë lot të mos derdhet më nga sytë e bukur
Veç kënga t’më shoqërojë
Me një gotë mbushur me dashuri
Trokas me paqen për lirinë të ngre dolli.
Lamtumirë t’i them kësajë jetë
Që dhe pse e desha, mall për të s’do të ndjej
Kam thithur dhimbje në vend të parfumit të mirë
Më ka zhgënjyer me buzëqeshjen e sajë falso
Në vend të gëzimit zhgënjim më ka dhuruar
Qe dashuria ime që gjeti urrejtje dhe përçmim
Do t’i them, asgjë nga unë të mos kërkojë
Çfarë pata kësaj ja fala
Pritëm se nuk do të vonoj
E dashura e hidhura vdekja ime e lehtë.
Nuk kërkoj të shkëputen nga krahët tuaj
Shko dhe më prit se do të vij.
Shko
Mos u largo shumë
Ka dymijë vjet që në krahët tuaj kam fjetur
Nëse vonohen eja
Mos më lejo
Të më mbulojë mosha e poshtërimit
Ku të lozin me mua reumatizmi, harresa a presioni
Mos më lejo që gjaku t’më bllokohet ndër vena
Mose më lejo t’më ulin në karrocë
Me këmbët e mia pas teje dua të vij
Shko vdekja ime, shko
Leri njerëzit të jetojnë
Mos shko atje ku të urrejnë
Mos shko atje ku tremben nga emri yt….
Shko larg sa larg qëndron lindja dhe perëndimi
Njëmijë vjet, janë pak njëqind vjet janë shumë
Për të pritur ty e dashur e dhimbshme
Që mu bëre hije
Që ditën kur linda
Eja
Qëndro larg sa koha për të pirë një kafe
Më lerë të shkoj
Sa për të lënë një lamtumirë
Sa për t’i marrë hallallin mikut tim
Që më ndoqi në jetë kudo
Më ndoqi si sozia jote
Aq sa shpesh kam menduar se ishit binjakë
Ik, mos i fryj zjarrit të urrejtjes
Le të më ndjekë mua e gjithë urrejta e botës
Të çlirohet kjo shoqëri
Unë të marr me vete gjithçka
Do të kthehem tek ti
Të kam premtuar
Sa të pij një kafe
Dhe të lë lamtumirën
Të lë bashkë me lamtumirën për shokun tim
Shpirtin varur në degën e ulliri
Atë ulli që Gjegji i Madh pat mbjellur dikur
Në shenjë të paqes dhe vazhdimësisë
Në shenjë të papërkulshmërisë
T’i lë në testament dhe amanetin
Të më ruajnë
Lahutën dhe ison.
Më lerë të marr pjesë në banketi e fundit
Shtruar për mua
Dhe aty
Në livadhin e shtruar me lule Çamëri
Të marr vallen e Osman Tagës
Tingujt melodisë së fyllit të zgjojnë Mollën e Kuqe
Më lerë
Në atë banket
Të ul Kreshnikët dhe Zanat
Norën, Shotën, Makbule dhe Antigonën
Pritëm pak
Ulu në hije të lisit
Dhe freskohuni pak në ujin e kroit të ftohtë
Ndërkohë dhe unë do të kem ardhur
Do të vij ashtu siç vijnë burrat
Ashtu siç shkuan bilbilejtë para litarit
Pa mu trembur syri
Do të vij në krahët tuaj
Pavarësisht dëshirave të pa realizuar
Që koha nuk më premtoi
Por do të vij
Nëse ti më premton
Që nuk do të marrësh më fëmijë nga gjiri i nënave
Nuk do të lëshë më fëmijë jetimë
Nuk do të marrësh më
Fëmijë të pangimë një herë me bukë e ujë
Pavarësisht ëndrrave të mbetura përgjysmë
Do të vij
Mjafton që rrugët dhe sheshet
Të mos mbushen më me kufoma
Dhe gjaku i të pafajshmëve
Të mos krijoi lumenj qyteteve të shkatërruara
Buka…
Ah buka ëndërr vrastare
Për një copë bukë njeriu braktiska shpirtin
Para fëmijës së pa ngrënë
Sytë i marrin ngjyrën e zjarrit
Zjarr që djeg filiza dashurie
Ah njeri, i mjeri njeri!
Të është zvogëluar zemra sa një mi….
Shpirti i fëmijës është njëlloj,njëlloj
Sepse ata nuk njohin racën as politikën
Mos i lini fëmijët të rriten bashkë me urrejtjen
Mos!
Se ndryshe kjo botë nuk do të ketë qetësi
Më prit vdekje!
Mos ik pa u kthyer unë nga gostia
Nuk do të qëndroj shumë, të premtoj.
E di, je mërzitur duke më pritur
Duke më ndjekur
Duke mësuar çdo rrugë nga kam kaluar
Si vetë hija ime ngjitur pas meje më ke qendruar
Më prit aty, në hije të lisit!
Tek kroi
Dua dhe unë
Para se të më marrësh
Dua të pij një herë ujë nga uji i kroit tim
Dua një herë të ndjehem i lirë
I lirë në tokën time të lirë
Në shemjë lamtumire
Për atë uji të kulluar që më ka rritur shtatin
Merrma trupin vdekja ime e bukur
Por shpirtin ma lerë këtu
Nuk dua ta mbyll në kasafortën e zezë të natës
Sepse ai gjithmonë
Ka nevojë për dritë dhe ngrohtësi
Jeta, ah kjo jetë e dashuruar
Kjo jetë e vrazhdët
Sa herë na e ka shtrënguar litarin e lagur rreth qafës
E ne prapë e kemi dashuruar
Ne gjithmonë dritën dhe ngrohtësinë tonë
Ja kemi falur asaj
Sa herë ajo
Në fytyrën dhe shpirtin tonë
Ka vendosur tatuazh dhimbje
Ne prapë për të
Kemi rritur dashuri
Dhe kemi thënë
Jeta vlen shumë, vlenë më shumë se ne.
Gjithmonë për jetën
Kemi ruajtur parfumin më të ëmbël
Sa herë kemi krijuar për jetën
Simfoni dashurie
Serenata poshtë dritares sa herë i kemi kënduar
Ah jetë o jetë
Sa zhgënjime kemi marrë
Dhe prapë e kemi dashur
Në netët e vetmuara për të kemi menduar
Ndërsa si zogj të trembur
Në mendimin tonë
Jemi fshehur nga ti, vdekje e mirë
Dhe kur kemi parë dritën
Kemi falenderuar Zotin, ndoshta dhe ty
Që na fale dhe një natë
Sa herë në ëndrrat tona
Jemi kthyer në varg patash të egra
Duke ikur nga ti,
Ndërsa ti ishe brenda, në shpirtit tonë
Që ditën kur na premë kordonin
Ishim çdo ditë bijët tuaj të përvuajtur
Kafshata jote e lehtë
Prit pra
Prit dhe pak
Sa të këndoj këngën e Rexhës
Që kali e mori ditën e martesës dhe ta solli ty.
Ishte e rëndë për atë nënë
Por më e rëndë është
Kur nënave ua marrin fëmijën nga gjiri
Dhe ta sjellin ty.
Ashtu siç bënin në Çamëri
Ashtu siç bnin në Kosovë
Siç bëjnë sot në Gaza Ukrainë, Afrika e kudo
Ah!
Më vjen keq, vërtetë keq
Kur thonë se po plotësojmë dëshirën e Zotit
Duke prerë koka fëmijësh në lufta e ndyta.
Njerëzimin e ndjek si hije e zezë
Ashtu siç na ndjek ti neve
Mëkati i Adamit
Që u mbulua por u kthye në tzunam
Që pushtoi dhe gërryu pa mëshirë
Argjinaturën e mjegulluar të shpirtit të njerëzimit
Përtej të cilit nuk arrijnë të shikojnë
Të nesërmen
Të nesërmen që nuk di si do të lindë…
Atje përtej
Djalli me të atin shikojnë të ardhmen e ndritur
Shikojnë se njeriu i fortë
Ka hedhur zemrën në landfillin e historisë
Dhe nën tinguj dhe marshe lufte
Bluajnë në mullirin e tij
Trupat e njomë të fëmijëve….
Asgjë asgjë nuk e mbulon, këtë katastrofë
Që bijtë e Kainit sollën mbi tokë
As vetë Adami gënjeshtar
Me atë buzëqeshjen e tij mizore as bijtë e tij
Padronët të kësajë bote
Nuk munden,
Se dielli nuk zihet me bajga
Thoshte Gjergj Mullaga.
Dua të pyes vdekja ime e dashur
Kur shikoj sa jetë merr rrugëve tona
Më fal, por këtë nuk mund t’a shmang
Ti që merr kaq shumë dhurata më gjirin tënd
Nga bijtë e Kainit
Si nuk u lodhe një herë?
Dhe të ndaloheshe
Ndale moj dorën tënde të rëndë
Rrugët u lodhën duke mbajtur kufoma
Ndërsa krahët tuaj mbetën hapur
Duke përqafuar kaq shumë…
Unë nuk të fajësoj ty
Jooo, ti merr atë që të bëjnë dhuratë
E dhurata thonë nuk refuzohet
Por a nuk do të ishte më lehtë për ty
Të marrësh vetë këta që i vënë zjarrin botës?
M’u tha gjaku nëpër deje
Dhe sytë më janë mjegulluar nga këto pamje
Shpesh jam lutur që
Zemra të më kthehet gur…
Por ç’të them moj vdekje, ç’të them
Kur nga dritarja e shpirtit shoh këto tragjedi
Vuaj
Vuaj e nga dhimbja
Kërkoj në krahët tuaj të vij
Por ti nuk dëgjon lutjet e mia
Ti na merr kur ne nuk të duam
Pritëm
Pritëm se do të kthehem shpejt
Disa dekada
Ndoshta një shekull
Kur lufta të ketë mbaruar nëpër të katër anët e botës
Dhe mes njerëzish të ketë rënë paqeja
Ne do të takohemi në hije të lisit
Tek Kroi i Ftohtë
Dhe do të shkruajmë historinë.
Asnjë nuk më bën zemra të sjellë në krahët tuaj
Por shpirti kurrë nuk do të harrojë
Tragjedinë njerëzore
Shkaktuar nga egoizmi dhe sëmundja e autostimës.
Dhe pasi ta kemi shkruar të vërtetën
Merrma
Le të vijnë në funeralin tim privat
Vetëm bilbilat
A nuk janë ata këngëtarët më të mirë
Që do të më përcjellin me këngë pranvere?
Mos më merr në darkë
Më lerë të më zgjoi gjeli i parë
Më merr kur të jetë duke u ndarë nata me ditën
Dua që dita e re të vijë e paqtë
Dhe unë të jem kurbani i fundit i paqes.
Pritëm
Do të vij i qetë si flladi
Përzier me aromë lule Jasemini
Do të sjellë një tufë trëndafila të bardhë
Dhe një shportë me qershija të kuqe pjekur mirë
Këtu do të vij
Ndoshta atë ditë
Do të vijë t’më përcjellë Adami
Dhe unë do t’ja pastroj shpirtin e mëkatuar
Me ujin e freskët të kroit
Mollën
Ah ajo mollë që zbret nga thellësi e kohës
Sa e kanë kafshuar
Sa e kanë urryer
Sa të tjerë nga ajo mollë janë mbytur
Sa lumenj janë krijuar me lot e gjak
Vetëm se ajo mollë u kafshuar atë ditë
Shpirti digjet si thëngjilli nën prush
Vdesin ëndrra dhe shpresa para kohe
I ke parë ti vdekje këto?
Shikoje një herë ku është katandisur njerëzimi
Vetëm nga kafshimi i asajë molle
Që djalli i dhe Adamit…