Friday, October 18, 2024
BallinaVitrina e libritPetro L. Sota -POEMË E PAMBARUAR….

Petro L. Sota -POEMË E PAMBARUAR….

Po ikën ky vit,
i kërrusur,
nga hallet i rënduar,
si lokomotivë,
që tërheq ditët e netët zvarrë,
Me vagonët plot ngarkuar,
dhe gjithçka,
me vete do ta marr.

Ndërsa duke ikur,
gjurmët pas do ti lerë,
do të mbetet në kalendar,
padyshim,
Por jo ashtu,
si të gjithë vitet e tjerë,
Por, si një vit
që la dhimbje dhe dëshpërim

Dhe do të përcillet,
gjithashtu,
pa ndonjë bujë,
Ndërsa për të riun që vjen,
janë bërë gati si përherë,
dhe çdo portë hapur e gjen,
qetë-qetë, pa rrëmbujë,
dhe dihet, si do të vijë,
ashtu siç kanë ardhur,
edhe vite të tjerë.

Dhe ne si gjithmonë,
e presim me gëzim,
ndërsa në salla lluksoze,
bëhen pritje madhështore,
Ku presidentë,
ambasadorë,
ministra,
dhe deputetë rrinë,
me gotat e kristaltë,
me shampanjë në dorë,

Me gratë e tyre,
që u rrinë pranë,
dhe mbi gjokset,
u shkëlqejnë gjerdanët,
të bardha,
qumështore,
të zbërthyer,
me shikim të venitur,
Si të dehura janë,
nga parfumet e markave
atë heshtje të ëmbël të thyer,
nga gotat duke trokitur.

Nëpër qytetet e botës,
Njujork,
Uashington,
Pekin,
Moskë,
Paris,
Romë e Berlin
Fishekzjarret qiellin godasin,
ndërsa nëpër sheshe,
miliona njerëz me gëzim,
përqafojnë njëri tjetrin,
dhe të gëzuar brohorasin.

Për të ardhmen e njerëzimit,
vallë, a po mendojnë,?
Se a do të kemi më frikë,
nga ndonjë luftë të tretë,?
Ndërsa,
sallat e pritjeve zhurmojnë,
një sëmundje e kobshme,
miliona të pafajshëm,
çdo ditë po i vret.

Por qielli është i ngrysur,
dhe toka dëborën po pret,
këmbana e katedrales,
po bie,
dhe godet si e mjerë,
viti i ri sapo erdhi,
mesnata po flet,
me fishekzjarre stuhie.

Aty afër katedrales,
diku pak më tutje,
mbi pesëqind të pastrehë,
Janë ngritur në këmbë,
duke bërë një lutje,
në stola,
pa karrike,
duke uruar,
dhe duke pirë coca-cola,
në gota plastike.

Janë të uritur,
por,
për ata asnjë s’do të flasi,
Të gjithë hanë ngadalë,
këtë darkë,
shtruar nga KARITASI,
Heshtja tek ata ka zbritur,
nëpër tenda
në një sallë modeste,
vitin e ri duke pritur.

Po fshkëllenë,
lokomotiva e një treni,
kur afrohet në stacion,
Me jaka të ngritur,
udhëtarët e fundit zbresin,
si gjithmon,
Ky ndërrim i viteve,
ndoshta,
jo të gjithë,
me zhgënjime do e presin.

Kjo natë me mjergull,
që mbi supe e mban,
duke rënkuar nga lodhja,
e ngarkuar me peshë,
Nëpër mjergull,
mijëra shpirtëra janë,
dhe për çudi klithmat e tyre
më buçasin në vesh.

Klithmat e të vdekurve,
që u lanë në vetmi,
Në makina të ngarkuar
që në varreza kur shkonin,
Mbylleshin qepenat në çdo shtëpi,
të frikësuar,
dhe mëshirë prej zotit kërkonin.

Të vërtetën duan që ta dinë,
Këtë mënxyrë,
kush e pruri vallë ?.
Por, kjo natë me errësirën pranë,
me klithma dhe rënkim,
Fajtorët,
fshehur po i mban,
nuk do që t’i shpall.

Po ikën ky viti i vjetër,
si një tren mallrash plot ngarkuar,
nëpër mjergull do të iki,
ai patjetër,
të gjithë kemi lënë diçka,
që s’kemi për ta harruar.
ndërsa këmbana përsëri ra,
dhe mua më mbeti,
kjo poemë e pambaruar….

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT