Friday, June 27, 2025
BallinaVitrina e libritBotimet e rejaMikel GOJANI-POETI PIKËLLIHET ME YJET PËR ZBRAZJEN E ATDHEUTMikel GOJANI-Fazli Ferati: Shpirtin...

Mikel GOJANI-POETI PIKËLLIHET ME YJET PËR ZBRAZJEN E ATDHEUTMikel GOJANI-Fazli Ferati: Shpirtin e pyesin yjet, (poezi), botoi SHB LENA, Prishtinë 2023.

Recension

Mikel GOJANI

POETI PIKËLLIHET ME YJET PËR ZBRAZJEN E ATDHEUT

Fazli Ferati: Shpirtin e pyesin yjet, (poezi), botoi SHB LENA, Prishtinë 2023.

Fazli Ferati vjen para lexuesve me librin e tij të tetë me radhë. Në këtë hark kohor, prej vitit 2016, kur e botoi librin e parë me titull “Heshtja që flet” e deri te ky më i riu, i titulluar “Shpirtin e pyesin yjet”, ai dëshmoi përkushtimin e tij krijues për t’u marrë intensivisht me krijimtari poetike. Ai tashmë e ka formuar profilin e tij poetik.

Libri më i ri nuk ndahet në cikle, por lexohet si një vëllim unik letrar. Në jo pak raste, poezia është një evokim i pëlqyeshëm lirik, ashtu siç e thotë edhe poezia me të njëjtin titull të librit:

Kthehem prapa në kohë

Kur shpirti kishte plot yje

Sikur u trembën e u fikën

Sot koha na lidhi nyje

Yjet gjithnjë kanë qenë simbole të shpresës e të dritës që ndriçon rrugën, që udhëheq qenien e njeriut drejt qëllimeve në jetë, në shoqëri e në histori. Yjet sugjerojnë rigjallërimin, rilindjen e një kohe. Kështu, yjet edhe te kjo poezi janë burim magjik i frymëzimit. Mirëpo, poeti është i brengosur:

Këtë nënqiell

Sikur përgjumshëm e mbuluan retë

Shpirtin e pyesin yjet

Ç’po ngjet tani me këtë vend?

Tani qiellit i mungojnë yjet

Sa asnjëherë më parë

Po si more të jetohet n’vetmi?

Me mall e shpirt të vrarë

Ai rendi magjik i dritës së dikurshme, i qëndresës dhe idealeve, i dashurisë së pakufishme ndaj atdheut, është përmbysur. Poeti i drejtohet tashmë kohës sonë, vetmisë dhe mungesës së yjeve. Yjet janë rinia që po e varfërojnë qiellin tonë me braktisjen e vendlindjes dhe atdheut. Poeti, prandaj ligjëron me mall e shpirt të vrarë. Përgjithësisht, poezia e Fazli Feratit përqendrohet në disa punkte idesh e motivesh: 1. në evokimet e së kaluarës, me dashurinë ndaj atdheut e evokimin e figurave dritëdhënëse, 2.në shpalosjen e magjisë së fjalës dhe frymëzimit, 3. në pakënaqësinë, revoltën e shqetësimet që ka për dukuritë e bëmat e kohës së sotme, dhe 4. në përsiatjet me esencat e jetës, të ekzistencës, së bashku me botën e tij intime, ku krijohen me invencion lirik motivet e dashurisë, vetmisë, mallit, së bashku me lirikën e peizazhit etj. Ky grumbullim vizionesh, emocionesh e përsiatjesh, përshkohet nga përvoja jetësore e e poetit, nga përjetimet historike e të gjallimit të popullit tonë e nga vlerat universale të krijimtarisë artistike.

Është një vëllim që lexohet me lehtësi, me synimin e autorit që lexuesi të ndiejë kënaqësi e jo lodhje, kur ajo të lexohet. Mbesin në kujtesë vargjet që zgjojnë imazhet e dashurisë ndaj jetës, atdheut dhe peizazhit, me ritëm e rimë që i japin përjetim të këndshëm vjershës.

Dhjetor 2023

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT