Sunday, August 10, 2025
BallinaVitrina e libritBesim Hoxha-SULLTANJA

Besim Hoxha-SULLTANJA

SULLTANJA

Në jetën e njeriut ekzistojnë kujtime dhe imazhe nga e kaluara, që nuk harrohen kurrë. Mirëpo, jo të gjithë njerëzit pjesëmarrës në një ngjarje, kujtojnë të njëjtat gjëra. Dikush kujton një episod, dikush një tjetër. Kjo vërtetohet kur pas shumë vitesh takohen shokë dhe shoqe nga fëmijëria, nga shkolla dhe fakulteti.

Dhe ashtu si një artist që krijon një mozaik me shumë copëza katrore të qeramikës, ashtu kompletohet edhe një ngjarje a ndodhi nga kujtimet e secilit.

Kishte vite e vite që i përmbahesha të njëjtit rregull. Sa herë shkoja për pushime në Kosovë, asnjëherë nuk e lija pa e vizituar Prizrenin. Dhe gati asnjëherë nuk shkoja deri në Stacionin e Autobusëve, por gjithmonë zbrisja në Bazhdërhane, për t’i rënë fund e krye qytetit të vjetër deri te Qafa e Pazarit, apo gjimnazi ku e kisha kryer shkollën e mesme.

Në një nga këto vizita, gjatë kthimit për në Bazhdërhane, duhet të qenë diku në pjesën e dytë të viteve të 90-ta, e kisha parë shtrirë në trotuar një grua me emrin e çuditshëm, Sulltane. I zgjaste duart ashtu e shtrirë drejt njerëzve duke i uruar: ” Zoti të dhashtë shnet e nafakë!”

Për shumicën prej nesh ishte gjë e rrallë të shihje një grua shqiptare duke kërkuar lëmoshë. Dhe menjëherë m’u kujtua një ngjarje që e kujtoj nganjëherë.

Një ditë derisa po shkonim drejt kalasë, me djalin e dajës, Eminin dhe moshatarët e tjerë, gjatë rrugës filloi të binte shi, dhe ne ecnim skaj lisave, në rruginën e ngushtë. Sapo e kaluam përroin që ishte disa qindra metra larg kalasë, poshtë rruginës, në një terren të pjerrët, e pamë Sulltanen me dy djemtë e saj. Kishin kaluar ndoshta dy-tri ditë që e kishin filluar një shtëpi. Me ndërtimin e mureve sapo e kishin kaluar njëmetërshin. Binte shi rrebesh, mirëpo ata nuk e ndalnin punën. Sulltanja u ndihmonte duke bartur materialin, ndërsa dy djemtë shtrinin baltën mbi mur, pastaj i ujdisnin qerpiçët. Mirëpo, shiu s’i linte të punonin si duhet. E shpërlante baltën, i shkërmoçte qerpiçët. Dhe ata bërtisnin me të madhe, grindeshin mes vete dhe me nënën e tyre. Shiu u binte flokëve, fytyrës,, krahëve, përgjatë gjithë trupit. E shpërlante murin që nuk bëhej dot, dhe ata nuk i shqiteshin punës, vazhdonin me ecejaket e tyre, herë te balta e qerpiçët skaj përroit, herë te shtëpia e nisur që nuk bëhej, dhe grindeshin në mes vete pajadá.

I prekur nga mjerimi i atyre njerëzve, kisha harruar për t’iu bashkuar të tjerëve, qëndroja nën kurorën e një lisi, e përcillja atë skenë që nuk e kisha parë në jetën time.

Kisha parë varfëri e mjerim edhe tjetërkund, por deri në atë pikë, nuk kisha parë asnjëherë.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT