Një krim i rëndë u raportua sot të ketë ndodhur në Shënevlash të Durrësit.
19-vjeçarja Hygerta Meta akuzohet se ka vrarë e më pas groposur babain e saj 50 vjeçat Pëllumb Meta në oborrin e shtëpisë.
Sipas informacioneve, viktima Pëllumb Meta, ishte njeri autoritar në familje dhe askush prej tyre nuk guxonte t’i kthente fjalën.
Dyshohet se brenda familjes ushtrohej dhunë nga kryefamiljari.
Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, kasollja e lopës së familjes Meta, rezulton se kufoma ka qenë e mbështjellë dhe e groposur me kujdes.
Veprime që dëshmojnë se nuk mund t’i bënte e vetme dhe në gjaknxehtësi e sipër vajza Hygerta Meta, e cila ka marrë përsipër krimin.
Policia gjeti pas 10 ditësh kërkime trupin e pajetë të 50-vjeçarit që ishte shpallur i zhdukur nga familja e tij, dhe pas hetimeve ka zbuluar se ai është vrarë nga e bija.
Hetuesit kanë sjellë edhe njëherë 19-vjeçaren në banesë për të rindërtuar skenën e krimit.
Sipas autoriteteve, 19-vjeçarja Hygerta Meta ka deklaruar se motivi i vrasjes ka qenë nxitja prej babait, për t’u fejuar pa dëshirën e saj, si dhe konfliktet familjare që kanë patur.
Policia ka arrestuar 19-vjeçaren, e dyshuar si autore e vrasjes së babait të saj, Pëllumb Meta.
Mësohet se babai i saj (viktima), punonte si roje te tregu i makinave në Nishtulla.
Vajza ishte studente në vit të parë në universitet, ndërsa dyshohet se ka patur lidhje me një djalë, ç’ka sipas deklarimeve e ka kundërshtuar i ati që donte ta fejonte me një tjetër.
Ajo ka deklaruar se pavarësisht kundërshtive që i ka bërë vendimit të të atit, ai nuk është tërhequr nga vendimi për fejesën me një djalë që vajza nuk e donte.
Kjo, sipas saj e ka çuar që të ndërmarrë aktin makabër, duke e vrarë, mbështjellë me batanije dhe groposur.