Familja Gashi e njohur si “Capat” ka reaguar pas plagosjes së djalit të tyre, Pajtimit, sot në Prishtinë.
Ata thonë se janë të tronditur me rastin, derisa mohojnë që sulmi ndaj tyre ka rrjedhur si pasojë e një konflikti të mëhershëm.
“Këtë moment të rëndë të cilin e kaluam si pasojë e një sulmi tentim vrasje ndaj pjesëtarit të familjes Gashi në vendin e punës, ku si një familje e ndershme gjithmonë jemi munduar ti shërbejmë ndershëm shtetit duke punësuar dhe mbajtur qindra familje, dhe duke paguar qindra taksa shtetit tonë. Ky sulm ndaj familjes tonë ka rrjedhur pa asnjë arsye dhe asnjë konflikt të mëhershëm”.
Familja Gashi tutje në reagim njoftojnë se gjendja shëndetësore e Pajtimit është e mirë.
Ata presin reagim nga institucionet e sigurisë dhe përgjegjësit të marrin dënimin e merituar.
“Po ashtu marrë parasysh se jemi një familje e respektuar e kryeqytetit dhe një familje biznesmenësh të suksesshëm ju lutem të mos na perzieni me kriminelët të cilës tentuan ta njollosin reputacionin tonë dhe të lëndojnë një anëtarë të familjes vetëm për të qenë pjesë e shkrimeve të mediave.
Andaj dëshirojmë të ju njoftojmë se anëtari i familjes tonë është në gjendje të mirë shëndetësore dhe presim një reagim të shpejt nga ana e institucioneve të sigurisë që përgjegjesit të sillen para drejtesisë dhe të marrin dënimin e merituar”.
Pajtim Gashi u plagos sot rreth orës 10:00 në rrugën “Bedri Shala” në Prishtinë.
Njëri nga personat e përfshirë në plagosjen e Pajtim Gashit raportohet të jetë Shkumbim Sekiraqa rreth 20 vjeçar, djali i Salih Sekiraqës.
Ndërkohë, lajmin e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e Policisë Rajonale në Prishtinë, Flora Ahmeti, e cila tha se Policia ka intervenuar dhe po ndërmerren veprimet e nevojshme hetimore.
“Rreth orës 10:00, policia ka marrë informatën për të shtëna me armë në rrugën “Bedri Shala” në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen. Bazuar në informacionet e para raportohet për një person të lënduar, i cili dyshohet të ketë marrë lëndime nga arma e zjarrit. Hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, ndërmarrin veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit”, tha Ahmeti.