Kisha dasht
Kisha dasht
me u myt n’ty
si diell i agut
n’ujna t’Paqësorit,
të grishja shpirtin tem
n’thellësitë e syve t’tu,
pa patun frigë
me ta tregue
lotin e njelmët,
qi vagëllon mendimet,
njajt si puthja e peshkut…
kisha dasht
me ja drejtu trupin
dëshirave tona,
qi derdhen
si shelgje n’trisht,
njashtu,
si ai qiri i ndezun,
ndër durë që luten,
e l’mon trupin e vet
tue lëpi avujt e frymës
n’zjerm…
A ban me andrrue
lëkurën teme
t’mbulume
prej puthjeve tuja,
tu u mbështjell
me fjalën T’du,
ndër buzë,
si qefin rreth trupit..
se…
nëse deka asht kshu,
du me u myt çdo ditë n’ty…