Friday, November 22, 2024
BallinaVitrina e libritBotimet e rejaBOTIME TË REJA-Doli nga shtypi libri i autorit Abdirahim Idrizi i titulluar...

BOTIME TË REJA-Doli nga shtypi libri i autorit Abdirahim Idrizi i titulluar “JETA”.

Shkrimtari, publicisti e veprimtari Abdirahim Idrizi po vazhdon të na befasojë me botime të reja dhe me vlerë. Këtë radhë ai sjell para lexuesit librin e katërmbëdhjetë me radhë me titullin simbolik “JETA” në të cilin reflekton mbi disa nga pyetjet më të thella të jetës njerëzore dhe përpjekjet për të gjetur kuptimin dhe qëllimin e saj.

Në libër pasqyrohet një spektër i gjerë temash, duke filluar nga reflektimi mbi lirinë personale dhe përgjegjësinë, deri te aftësia për të kontrolluar cilësinë e përvojës dhe përballimi me vetminë. Autori përshkruan rrugën e tij të zhvillimit personal dhe rrëfen përvojat e tij në jetë. Në thelb, ai inkurajon lexuesin të njohë veten dhe të marrë përgjegjësinë për jetën e tij. Gjithashtu, autori shpreh një optimizëm të qëndrueshëm në të ardhmen dhe dëshirën për të ndarë dije dhe përvojë me të tjerët, duke e inkurajuar lexuesin të mësojë nga përvojat e tij dhe të kontrollojë rreziqet për të pasur një jetë më të qetë dhe më të suksesshme.

Libri hapet me parathënien e shkruar nga redaktori D. Reshiti, të titulluar “Reflektim i thellë mbi kuptimin dhe qëllimin e jetës”, ndërsa i tërë materiali i shtruar në këtë libër, ndahet në pesë kapituj: “Sekretet dhe kuptimi i jetës”; “Lider i lindur”; “Sfidat jetësore”; “Trashëgimia dhe kursimi”; dhe “Ndodhi të vërteta me mesazhe të veçanta”. Këta kapituj ndonëse të veçantë, kanë lidhshmëri dhe njëtrajtshmëri me njëri-tjetrin duke e mbajtur kështu kureshtar lexuesin nga faqja e parë e deri në të fundit.

Shkrimet reflektojnë mbi disa nga pyetjet më të thella të jetës njerëzore dhe përpjekjet për të gjetur kuptimin dhe qëllimin e saj. Autori përmend përvojat e tij personale, duke treguar përpjekjet për kontributin ndaj vendit dhe popullit, si dhe vështirësitë e përballura me njerëzit e pabesë dhe të etur për pushtet. Ai ndan historinë e tij të fillimit të punës në biznesin e babait, vendimin për të punuar i pavarur dhe sfidat e marrjes së përgjegjësisë.

Në libër pasqyrohet gjithashtu kontrolli mbi vetëdijen dhe rëndësia e njohjes së vetvetes. Autori citon mendime të filozofëve të ndryshëm, duke theksuar se njohja e vetvetes dhe përballimi i vështirësive janë çelësi për një jetë të plotë dhe të lumtur. Ai përmend se ndryshimet personale fillojnë me vetëdijen dhe përpjekjet për përmirësim të vazhdueshëm, duke pasur parasysh se vetëm mendimet, emocionet dhe sjelljet tona janë nën kontrollin tonë.

Libri përmbyllet me tregime të shkurtra frymëzuese dhe këshilla me vlerë. Këto tregime ilustrojnë mësime të rëndësishme jetësore, si rëndësia e lajmeve pozitive, kërkimi i strehës më të mirë pas një humbjeje, pasuria e brendshme e njerëzve të varfër, etj. Këto tregime kanë për qëllim të nxisin reflektimin dhe të ofrojnë mësime të vlefshme për jetën.

Vlen të theksohet se li ibri “JETA” i Abdirahim Idrizit është një reflektim i thellë mbi kuptimin dhe qëllimin e jetës, duke inkurajuar lexuesit të njohin veten dhe të marrin përgjegjësi për jetën e tyre, ndërsa ndajnë dijet dhe përvojat për një të ardhme më të mirë.

Botues:
“Galaxy”, Prishtinë

Redaktor:
Demir Reshiti

Recensensues:
Agron Ahmeti

Redaktor gjuhësor:
Ismail Arsllani

Kopertina:
Ali Idrizi

Përgatitja kompjuterike:
Adil Beqaj

Shtypi:
“Lena Graphics Design”, Prishtinë

Autorit i urojmë suksese të reja në krijimtarinë publicistike dhe nga pena e tij presim botime të tjera. (D.Reshiti)

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT