HIRET TUA, POEZI
Nga kalaja zbrite
Udhës bregut t’Drinit,
Si zana në mite,
Qytetit të Diellit.
Lirshëm ecje rrugës
Pa e kthyer kokën,
Djemtë prej merakut
Gjurmës t’puthnin tokën.
Flokët tundte era
Si kalli mbi shpinë,
Më e bukur se pranvera,
Pasha Perëndinë !
Zura të të thërras,
Të ndalja pak doja,
Zemra po më plas,
Nga mendja shkallova.
Trupin pikturë
E derdhe n’detin valë,
Gjuri mbi ujë
Digjte ndjenjen zjarr.
Këmishën ta mora
Tek i merrja erë,
Detit tim të ftova
Aty mbete përherë!