Monday, September 16, 2024
BallinaVitrina e libritBesim Hoxha-LYPËSAT, TYMI I DUHANIT, DHE LIBRARITË

Besim Hoxha-LYPËSAT, TYMI I DUHANIT, DHE LIBRARITË

1.

Me bashkëshorten shijojmë nga një ëmbëlsirë vendi, shoqëruar me kapuçino dhe makiato. Presim që të na bashkohet gruaja e vllaut nga shkolla ku punon si drejtoreshë, në një shkollë fillore në periferi të qytetit.

Disa minuta më vonë mbërrin kunata dhe bën porosinë. Edhe unë i them kamarieres të ma sjellë një ekpreso pas kapuçinos që e kisha pirë pak më parë.

Nga rruga dytësore ku është edhe një hyrje tjetër, afohet një lypës, burrë rreth të gjashtëdhjetave dhe na kërkon lëmoshë. Të dytë i japim monedha për të mos e lënë duarthatë.

Nuk kalojnë as pesë minuta, dhe kalon një lypëse e moshës së mesme.

Pas dy-tre minutave një vajzë që kërkon edhe ajo lëmoshë.

Tashmë, lokali duket sikur është shndërruar në një parakalim lypësish.

Kunata i falënderon pas urimeve të tyre, dhe ua bënë me shenjë që të vazhdojnë rrugën kah dera pranë rrugës kryesore dhe rrethrrotullimit me daljet që të shpiejnë në lagjet e ndryshme të qytetit.

2.

Pas drekës te Beska në Shadërvan (ku ishe “full” siç më tha një turist turk derisa po prisja në rend për t’i larë duart) përshëndetemi me vllaun, Naimin i cili duhej të kthehej në punë, në postën kryesore ku punon si koordinator i PTK-ës të Regjionit të Prizrenit qe shumë vite.

Ecim pak rrugës në mes dy trotuareve pranë lumit, të mbushura me tavolina dhe karrika plot me vizitorë vendës e të huaj.

Dikur ndalemi në një nga baret për të shijuar ndonjë akullore.

Sapo filloj ta shijoj akulloren e shijshme përzier me copëza frutash, para hundës dhe fytyrës më kalojnë shtëllunga tymi të cigares së ndezur të një zonje në një tavolinë afër nesh. E shikoj pak i bezdisur, por ajo nuk e prish fare terezinë, vazhdon të sajën, me kokën e ngitur pak përpjetë, dhe paksa e zhytur në mendime.

Për një moment më kujtohet ajo fraza e famshme e këtyneherit, kur dikush e tepronte me pirjen e duhanit, dhe më vie të thërras me zë:

Ta piftë bolla n’bark!

Skena të tilla në lokale ku është e ndaluar pirja e duhanit, më ka rastisur të shoh çdo vit gjatë pushimeve, edhepse kartellat e ndalimit të duhanit janë tri-katër herë më të mëdha se kokat e atyre që qëndrojnë të ulur në lokale, pa e çarë kokën për rregulla, mirësjellje dhe ligje.

3.

Fundin e vizitës në Prizren e kisha lënë për të blerë ca libra, që t’i kem në Itali, për t’i lexuar kur të gjej pak kohë të lirë. E pyeta vllaun se ku mund të gjej një librari të re që ishte hapur pak vite më parë, nga sa e kisha kuptuar nga statuset e miqve të mi në Facebook. Më tha që ishte afër kompleksit Abi Çarshia.

Pasi ishte vapë e madhe atë pasdite, dhe ishim afër, vendosa që njëherë të kaloj te Qafa e Pazarit, aty ku dikur ishte libraria.

Për fat të keq, lokali ishte i zbrazur, dritaret me xhamat e thyer. Para hyrjes një grumbull i madh rëre dhe materiali tjetër ndërtimor. Ngjitur me librarinë, vetëm muri i vjetër ballor i një shtëpie të vjetër të rrënuar tashmë. Brenda oborrit kishin nisur ndërtimin e një shtëpie të re.

Kthehemi prapë në rrugën pranë lumit. Pranë urës ku fillon lagjja Tabahane, dhe dikur ishte një shtëpi e veçuar, në katin përdhesë të së cilës ishte libraria, as edhe një shenjë e saj.

Vazhdojmë rrugën buzë Lumbardhit, për t’i ikur vapës së madhe. Te ura tjetër, pranë mullirit të vjetër, kalojmë në rrugën kryesore dhe vazhdojmë tutje së bashku me gruan drejt Stacionit dhe Abi Çarshisë.

Shpresa ime për të blerë ndonjë libër ishte Libraria Litera.

Me sa e kisha parë nga fotografitë, ishte një ambient shumë i bukur.

Para se t’i afroheshe Stacionit nuk kishe më si t’i ikje të nxehtit të madh. Nuk kishte më hije që t’i ikje sadopak vapës së kësaj vere.

Më në fund e gjejmë librarinë.

Përtej rrugës nga larg shihet mbishkrimi me shkronja të mëdha Litera, në ndërtesën e xhamtë.

Kalojmë rrugën, trotuarin e gjerë dhe hyjmë brenda ndërtesës.

Në katin përdhesë shitorja me materiale për shkolla, zyre, libra shkollor dhe libra për fëmijë.

E shoh një shkallë në fund të hyrjes nga ana e majtë, dhe mendoj që libraria që më interesonte mua duhet të ishte në katin sipër. Kur shkoj atje, gjysma e shkallës ishte bllokuar nga një njoftim i varur në shiritin e lidhur mbi dy shkopinj plastike ku shkruante se kafe-biblioteka dhe Libraria Litera do të qëndronin mbyllur deri më 12 shtator nëse s’gabohem.

Një punëtore nga arka e pagesave afër shkallës më afrohet dhe më thotë se mund të ndihmojë, nëse ia jap titujt e librave që dëshiroj t’i blej. E falënderoj. I them se unë vendos aty për aty. Rrallë më ndodh të shkoj në librari, për një libër që kam vendosur ta blejë shumë kohë më parë.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT