Monday, September 16, 2024
BallinaVitrina e libritE diela poetike me vargjet e poetit Nikolle Loka 

E diela poetike me vargjet e poetit Nikolle Loka 

Mbyll sytë e veç ëndrro!
Në leximin e parë t’u hapën sytë,
në leximin e dytë t’u zgjua mendja,
duhej dhe një lexim i tretë,
që të vërshojë ndjenja…
Ta shohësh tri herë
një ëndërr pas zgjimit,
nuk mjafton të kesh sy as mendje,
ta përjetosh
dimensionin e tretë të njeriut,
duhet të shohësh e të ndjesh
dhe me zemër.
Nē dimensionin kohë
ta përjetosh të tashmen,
në dimensionin hapësirë
të jesh atje ku don,
të mbahesh mbi veten
nën hijen e blirit,
mbyll sytë e veç ëndrro!

Andrra vere

Kur randshëm qiellit
i rrijnë retë,
ndër andrra vjeshte
kam me pa,
gjethe të kputuna
qi nuk zajnë vend,
e përnjimend,
kam me e dashtë
nji tjetër vend.
Nji tjetër vjeshtë
pranverës ka me i ngja,
kur e mshtjell n’imazhin tand.
E andrra vere kam me pa…

Ti vjen me erën

Ti vjen me erën, një ngutje më shtyn e të pres,
pritjes s’ia di kuptimin…
Ardhjet janë prej ajri përzier me vesë,
ikjet janë prej tymi,
prej flakës që shuhet e vdes,
prej lumenjëve që këputen në mes,
në rrugë të përhime.
Ardhjet janë me fat në çaste intime,
lindin për pak dhe vdesin,
në fije që këputen e treten,
në nyje që lidhen e mbesin.
Ti vjen me erën, pritjes s’ia di kuptimin,
ngjyrat janë prej ajri,
tingujt janë prej dhimbjesh.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT