Në klubin e fshatit
shpesh ngrihen iso këngë e përcillet urimi e dollia
e nis të rrufitet kafeja që në pikë mëngjesi
Flitet për një djalë ardhur nga Italia, Franca e Amerika
Për një dhelpër që hëngri dy pula te koteci.
Në klubin e fshatit
Karriket kanë nisur të kërcasin dhe më shpesh
dikush ankohet për shkollat që s’kanë fëmijë.
Zani flet për dimrin që po vjen dhe më shpejt
Halimi tregon se i kishte lindur dhija e mëzi i ri.
Në klubin e fshatit
Shaqua shtron çdo vit ca gota nga rakia e parë
Dikush tregon për nipin që ia kishte kafshuar qeni.
xha Brahua i vë cigaret të tëra në radhë
Me duhanin e grirë shtruar në kuti argjendi.
Në klubin e fshatit
bota bëhet në çast si tespitë e verdha, kokërrqelibarta
Që rrotullohen e nisin prapë si ushtarët në rreshta
E nuk i tremb mjegulla në rrugë a erërat në maja
dhe ëndrrat pa moshë ende buisin si molla te dega..
Në klubin e fshatit
Nikua tregon se i ishte djegur kashta e mullarit
dhe lopa dhe viçi do të kishte edhe më pak bar.
Aty dritat shuhen të fundit nga shtëpitë e fshatit.
Me padurimin për të nisur një tjetër mëngjes të artë
Ah, rrëfimet e tyre nuk shkruhen në libra e në gazeta.
Mungojnë kamerat e njerëz të shkruajnë, qoftë dhe pak rreshta