Saturday, April 19, 2025
BallinaKulturëKantautori amerikan Bill Bero dhe Irma Kurti sjellin një këngë të re

Kantautori amerikan Bill Bero dhe Irma Kurti sjellin një këngë të re

Sapo është publikuar kënga e re e kantautorit amerikan Bill Bero dhe poetes e tekstshkrueses italo-shqiptare Irma Kurti. Kënga titullohet “The sun is turned off” (Dielli është fikur). “Është një poezi – siç thotë Kurti – e shkruar në vitin 2006, kur nëna ime u nis për në udhëtimin e saj pa kthim. Boshllëku që më la mungesa e saj ishte aq i madh, sa gjithçka përreth dukej monotone dhe e mërzitshme. Nuk jetoja, por ekzistoja brenda errësirës, sepse dielli, dielli im, ishte fikur.”
Kënga është e thjeshtë, direkte dhe plot melankoli; ajo u këndon atyre momenteve që përjeton gjithkush kur ndodhet përpara një udhëkryqi, në një gjendje pezull, momente në të cilat të duket sikur nuk i percepton zhurmat, zërat, gëzimet, gjithçka që të rrethon.
Bill Bero është një kantautor, kompozitor dhe këngëtar amerikan që i pëlqen të trajtojë në këngët e tij histori të jetës reale. Ka filluar të kompozojë që kur ishte 17 vjeç. Ai ka punuar si gazetar për 44 vjet, duke u marrë gjithashtu me muzikë gjatë gjithë kësaj periudhe. Bill Bero ka kompozuar rreth 400 këngë. Ai ka lindur në Çikago dhe banon në Crown Point, Indiana.
Irma Kurti është poete, shkrimtare, autore e teksteve të këngëve, gazetare dhe përkthyese. Ajo është italiane e natyralizuar. Ka filluar të shkruajë e të botojë poezi që në moshë të vogël. Irma Kurti ka shkruar rreth 200 tekste këngësh për të rritur dhe fëmijë dhe është pjesëmarrëse në festivale të muzikës së lehtë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. Ajo ka bashkëpunuar me kompozitorë shqiptarë, italianë, turq, kilianë dhe amerikanë.

DIELLI ËSHTË FIKUR

Teksti i këngës: Irma Kurti

Muzika: Bill Bero

Këndon kantautori amerikan: Bill Bero

Video Montazhi: Studio Fokus Art/Arben Hyska

Trupin tim e pushton qetësia,
e çuditshme, nuk dëgjoj asnjë zë.
Asnjë britmë s’vjen nga e tashmja,
asnjë kujtim në mendje, asgjë.

Asnjë re në horizont,
dielli është fikur, ka kohë.
Nga kjo errësirë ku kam humbur
askush nuk më shpëton dot.

Nuk gjej forcën për të pyetur
nëse këto ditë po jetoj vërtet,
a e dëgjon dikush thirrjen time,
ka njeri që më sheh, më prek?

Celulari im duket se ka vdekur,
askush një mesazh nuk më sjell.
S’arrij të them nëse është ditë a natë,
nuk di kur jam zgjuar apo fle.

Errësirë brenda dhe përreth meje,
zemra ime e mbështjellë me acar,
kur dielli është fikur përgjithmonë
ku mundet të shkosh vallë?

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT