Thursday, November 21, 2024
BallinaVitrina e libritPetro L. Sota-RRUGA PA KTHIM

Petro L. Sota-RRUGA PA KTHIM

Ne ishim ulur diku mbi një sop rëre

dhe po vështronin detin në largësi. Prapa nesh ishin katër pallatet, që ishin ndërtesat më të bukura të plazhit dhe lakmoheshin gjatë sezonin se ishin më komod dhe me banjo brënda. Në të majtën tonë ishte kanali i vaut ndërsa në të djathtë shumë larg ishte kanali që vinte nga tërbufi. Deti akoma ishte i qetë dhe rrezet e diellit kur binin mbi ujë krijonin reflekse si pasqyrë. Ishte ora dymbëdhjetë e gjysëm dhe peshkatarët i kishin hedhur dy tri herë rrjetat dhe e kishin nxjerrë varkën në breg. Me ata ishte edhe mësues Gori duke biseduar në përgjithësi për vështirësit që kishte gjuetia e peshkut por edhe për pasionit që tërhiqte shumë njerëz që rrinin me orë të tëra me grep për të zënë ndonjë peshk. Njëherë kishte gjuajtur edhe mësues Gori me një grup me tratë që e tërheqin pesë deri në gjashtë persona gjatë bregut të detit gjatë gjithë natës dhe kishin zënë mbi dy qind kg peshk dhe këtë e tregonte si ngjarje të jashtëzakonshme gjithmon me pasion.

Ne ishim vetëm një grup me vajza dhe djem, ndërsa një grup tjetër vazhdonte të luante futboll. Gjatë bregut ishin çifte – çifte djem edhe vajza që ecnin dhe lagnin me ujë njëri tjetrin duke bërë shaka. Kishim luajtur të gjithë futboll por ne e kishim lënë lojën se ishim më të lodhur, ndërsa disa të tjerë si më të fortë po vazhdonin akoma. Kush kishte marrë diçka nga shtëpia ushqime i kishte nxjerrë dhe po i ndanin ndërmjet tyre, sidomos vajzat që ishin treguar më të kujdesshme duke i pregatitur vetë. Unë isha ulur pranë Marjanës dhe mbas meje ishte Iliriani që ngacmonte dhe bënte shaka si gjithmon me Liri Topallin. Po ashtu aty pranë tyre ishte dhe Trifon Bani që e nxiste akoma më shumë Ilirianin. Trifoni kishte marrë një shishe të vogël me raki dhe insistonte që të pinte pak edhe Liria duke ia afruar tek goja, por ajo nuk pranonte. Pranë tyre erdhi edhe Bani Rruga, duke ja marrë shishen e rakisë Trifonit dhe e ktheu në gojën e tij si të ariut dhe ia piu gjysmën e shishes. Në atë moment u inatos Trifoni dhe ja rrëmbeu shishen duke e sharë dhe në fund i tha “ kulak, bir kulaku,” siç i thoshte gjithmonë edhe me shaka. Por Ban Rruga nuk mërzitej për fjalë të tilla, nuk kishte reaguar asnjëherë. Gjyshin e tij nga babai e kishin shpallur kulak nga që kishte qenë i pasur dhe kishte patur shumë bagëti që rriteshin në pishën e Divjakës. Ndërsa babai i tij kishte bërë dy vjetë burg nga që kishte dalë difiçit duke e futur në kurth sepse kishte ndihmuar një fshatar të varfër me disa lekë, kur ishte magazinier në një magazinë të madhe grumbullimi. Dhe nga kjo pushteti i vëndit e shihte me një sy tjetër si një person jo të dëshirueshëm. Mamanë e kishte shumë të mirë dhe punëtore. Gjithë ditën punonte në kooperativë dhe në darkë qepte me makinë qepëse për të rritur fëmijët kur i shoqi qe në burg. Disa herë kisha qepur pantallona tek ajo dhe m’i qepte brënda një nate. Bani mësonte por nuk çante kokën se e dinte që s’do të merrte bursë për në universitet. Megjithëse ai kishte dajat në rreth, që kishin influencë dhe emër si njerëz të mirë. Gjithashtu kishte edhe në Tiranë njerëz që po të ishte nevoja mund të ndërhynin siç shprehej ndonjëherë vetë Bani. Mua më besonte shumë dhe më tregonte ndonjë gjë. Bile para disa ditësh më tregoi një ngjarje që e kishte marrë vesh nga njerëzit e tij në Tiranë. Për një arratisje masive që kishte ndodhur në gusht të dy familjeve nga Vermoshi, për në Jugosllavi duke u bërë problem shtetror, dhe ishin marrë masa të rrepta në zonën kufitare. Diçka po lëviz më tha në mënyrë konfidenciale, ndoshta do të ketë ndryshime. M’i thoshte se kishte besim të plotë tek mua.

Marjana nxori nga çanta e saj disa petulla, vezë të ziera dhe byrek me presha dhe me gjizë. I ndau midis nesh, duke i dhënë edhe Lirisë, po ashtu edhe Linës që ishin ulur aty pranë. Ndërsa dy motrat binjake Marga dhe Lirika Koçi kishin pregatitur një lloj qumështori me kungull, gjithashtu edhe vezë të ziera. Edhe ato i ndanë duke na dhënë të gjithëve nga një copë sa për t’i shijuar. U afruan edhe të tjerë dhe muarën nga pak. Mbas pak e lanë lojën se qenë gati duke u zënë Landi Fiku me Nasi Verriun. Që të dy ishin të nervozuar duke akuzuar njëri tjetrin se kishin bërë hile në lojë. Më i qetë ndërmjet tyre ishte Dash Shani që mundohej t’i qetësonte duke i shoqëruar për krahu . U afruan ashtu të kapur për krahu dhe donte t’i rrëzonte në det dhe u largua me vrap. Një grup vajzash kishin ikur nga fundi afër kanalit të vaut duke mbledhur guacka që kishte nxjerrë deti. Ishte Rita Lala, Liljana Tani , Meri Ndini dhe Mira Koli. Ndërsa Pero se ku kishte humbur me Mimoza Plepin se nuk po e shihja askund.. Vetëm pas pak kur dolën nga përpara shtëpisë së pushimit të punëtorëve. Mimoza mbante në duar një tufë me lule oleandra të kuqe dhe të bardha që i kishte mbledhur aty përpara.

Ndërsa Nasi Rrena me Tani Trungun dhe Baçi Priftin po vinin me një lepur në dorë që e kishin kapur mbapa zyrave të plazhit në një ferrë. E mbante në dorë prej këmbësh Nasi Rrena dhe dy të tjerët e ngacmonin dhe bënin shaka duke e ndjekur nga prapa. U grumbulluan të gjithë pranë tyre për të parë. Por Liljana Rrena iu lut që ta lëshonin dhe ajo gati ishte duke qarë. Ndërhynë edhe vajzat e tjera dhe më në fund e lëshuan lepurin duke vrapuar mbas tij. Lepuri kur pa që ishte i liruar ia mbathi me vrap dhe hyri në pyllin me pisha. U larguan të gjithë një nga një dhe dy nga dy nga grupi që ishim mbledhur aty. Mbetëm vetëm ne të dy unë me Marjanën.

Në fillim mbetëm të heshtur dhe nuk po flisnim. E kuptova që do të më thoshte diçka dhe po prisja. Mbase edhe ajo e kishte të vështirë, prandaj po rrinin të heshtur. Për ta thyer heshtjen i thashë;

– Shëtisim derisa të vij autobuzi, – dhe po ecja për të shkuar buzë detit.

-Mirë, shëtisim, – më tha ajo dhe po më ndiqte. Po ecnim të dy duke u takuar supet e njëri tjetri dhe vazhduam disa minuta drejt po ashtu në heshtje. Unë po e ndjeja se truri im ishte në një gjëndje mpirje. Nuk e di sepse isha në një ngëndje të tillë alarmi. Çfarë më mundonte.? Po ecnim të drejtim të shtëpisë së pushimit. E ndjeja se do të më shprehej për diçka që edhe unë e merrja me mend. Kishte tentuar disa herë edhe kur ndodheshim të vetëm por nuk kishte gjetur momentin. E kuptoja që vuante po ashtu vuaja edhe unë. Por unë mendoja ta kaloja pa ia shprehur ndjenjat e mija që kisha për atë, se më dukej si e pamundur, nga babai saj që sapo ishte bërë sekretar në komitetin e partisë në rreth, që ndiqte problemet e arsimit të kulturës. Prandaj për mua ishte e pamundur, ndërsa ajo nuk e mendonte siç mendoja unë. Ajo kishte një karakter të fortë, dhe donte që të arrinte me çdo kusht atë që dëshironte me çfarë do lloj çmimi. Dhe për këtë nuk tërhiqej nga e pamundura. Ndonjëherë bëhej nevrike, xheloze kur me mua bisedonte ndonjë vajzë tjetër sidomos kur bisedoja me Liljana Tanin. Me Liljanën shoqërohesha ndonjëherë se e kishim rrugën bashkë nga shkolla për tek qyteza e naftëtarëve kur dilnim nga mësimi. Liljana e kishte shtëpinë më në periferi pak më tutje në të njëjtën rrugë. Me Liljanën nuk kishim ndonjë gjë përveç ndonjë vështrimi që më hidhte ndonjëherë dhe kur kërcenim në mbrëmjet e vallëzimit afrohej duke u ngjitur, duke takuar kofshën e saj tek unë dhe më shtrëngonte dorën kur mbaronte vallëzimi. Kishte trup të bukur dhe ishte e qeshur, gazmore. Duke ecur ishim afruar më shumë shtëpisë së pushimit dhe po kalonim pranë dëllinjës së madhe kur ajo më tha;

– Mark, ke kuptuar që unë të dua. ? – ndaloi për një çast, po më vështronte në sy, për të parë reagimin tim, e skuqur në fytyrë, në një ngjyrë rozë dhe po priste përgjigjen nga unë. Në atë çast m’u duk tmerrësisht e bukur, por edhe si një fajtore që priste vendimin e gjyqtarit për një dënim të rëndë. Sikur ishte penduar që më ishte shprehur. Sikur kishte bërë faj dhe do të ndëshkohej. Sikur nuk po i besohej që ishte shprehur ashtu. Ajo po vuante, dhe po priste. Dielli si një disk i zjarrtë, që i kishte dhënë qiellit një ngjyrë të portokalltë i lodhur pas pak do të zhytej në det pa e pritur hënën që të dal. Ndërsa ajo po priste që t’i thosha diçka, t’i thosha një fjalë, që për atë kishë rëndësi shumë. Në të qindtën e sekondës pa lënë që të priste më shumë i thashë;

– Po Marjanë, të kam kuptuar edhe unë të dua. Por ajo, sapo unë i thashë “ edhe unë të dua “ m’u hodh në qafë, duke më përqafuar, po më puthte me pasion dhe më tërhoqi për t’u fshehur pas dëllinjës që mos të na shikonin të tjerët. Nuk më la kohë që unë t’i thosha ato mendime që kisha për pamundësinë që mund të kishim në dashurinë tonë. E kisha përqafuar edhe unë dhe vazhdonim duke u puthur. Ajo duke psherëtirë më thoshte;

– Ah sa e kisha pritur këtë çast, sa të dua, – dhe vazhdonte akoma duke më puthur. U shkëputëm për një çast duke parë rreth e rrotull se mos po na shikonte ndonjë. Ja hodha krahun rreth belit të saj dhe vazhduam të ecnim pak më tutje në drejtim të gabinave të ushtrisë. Aty gjetëm një vënd të fshehur dhe u ulëm. Ajo mbështeti kokën tek gjoksi im dhe me një dorë më kishte qarkuar në qafë dhe me dorën tjetër kishte zbërthyer këmishën tek gjoksi dhe po më ledhatonte. Unë po e përkëdhelja tek flokët, tek qafa dhe dora më rrëshqiti tek gjoksi i saj duke i’a futur nën bluzë. Ajo në atë çast u drodh, duke lëshuar një psherëtimë dhe ma shtrëngoj më dorën e saj dorën time aty tek gjoksi. Nuk po përmbahesha edhe unë, e tërhoqa dhe i’a mbështeta vithet mbi prehrin tim duke e puthur, duke e përkëdhelur tek kofshët. Dëgjoja psherëtimat dhe një frymarrje të shpejt, duke u mbështetur e gjitha mbi trupin tim. Për një çast e kishim humbur të dy, ishim në një gjëndje të turbullt dhe s’po kuptonim dot më. Ishim në një ëndërr apo vërtetë po putheshim. Mundohesha që të kthjellohesha duke prekur trupin e saj, që të mendoja që nuk ishte kjo një ëndërr. Nuk e di se sa zgjati kjo që po më dukej sikur isha në ëndërr. Pasi ishim qetësuar pak, ajo po më vështronte me fytyrën mbi gjoksin tim me sytë që i ndrinin dhe buzët me djersë. Hoqa këmishën time dhe i’a fshiva fytyrën nga djersa duke lëvizur që të ngriheshim. Ajo u ngrit para meje, duke rregulluar dhe mbërthyer bluzën tek gjoksi, gjithashtu duke fshirë rërën që i ishte ngjitur tek kofshët. Më kapi dorën dhe po ecnim për të dalë që nga ai vëndi i fshehtë. Aty pranë gjetëm një gorricë që kishte kokrra të pjekura. Mblodhëm disa kokrra dhe këputëm një degë që ishte plot që ta kishim si një provë që ishim vonuar nga që kishim gjetur gorrica. Pasi dolëm nga shkurret buzë detit para nesh po ecnin Tom Biti me Pali Stekon. Pali mbante në dorë pesë peshq të lidhura me një fije zhuke që i’a kishin dhënë disa peshkatar tek godulla e vogël. I thirrëm dhe ata ndaluan duke na pritur edhe ne. Po ecnim të katër në drejtim të restorantit ku ishin grumbulluar edhe disa të tjerë në pritje të autobusit që do të vinte me vonesë. Mësues Gori po rrinte tek kthesa e rrugës dhe po bisedonte me rojen e natës së shtëpisë së pushimit. Disa ishin ulur tek bordura e themelit të restorantit dhe disa të tjerë lëviznin për të mos qëndruar në vënd.

U ulëm tek shkallët e mermerta të lokalit që ishte restorant dhe po prisnim autobuzin që do të vinte me vonesë sepse kishte ndodhur një avari tek pusi i gërmimeve për naftë me numër pesëdhjetë e shtatë. Marjana më tha se kishte pak ftohtë, sikur u drodh, e ndjeva nga që i kisha hedhur dorën tek supet. Filloi të frynte një erë e lehtë nga deti dhe ne e kishim në të djathtën tonë detin. Po ndjeja në fytyrën time flokët e saj që herë herë era i lëkundte lehtë duke më prekur lehtë dhe po ndjeja aromën e trupit të saj. U mbështet dhe pak më shumë supi i saj i zhveshur tek supi im duke me shikuar me sy të venitur, që fshihnin në thellësi një si ndriçim të largët. Po vështronin njëri tjetrin në sy për disa sekonda;

– Çfarë po mendon. ? -më pyeti duke vazhduar të më vështronte pa m’i hequr sytë, sikur aty tek sytë do të merrte përgjigjen.

Unë isha duke menduar për përgjigjen që duhet t’i ktheja, se në fakt nuk kisha ndonjë mendim konkret që mund të ishte interesante për t’u thënë. Mund t’i thosha që po mendoj për ty, por kjo mu duk si e pa vënd në atë moment. Megjithatë ne kishim folur shumë sot për njëri tjetrin, për momente të përshtatshme, dhe rrethanat që u krijuan që të çfaqnim ndjenjat tona, të mbajtura shumë kohë të mbyllura si zogjtë në kafaz. Kisha një pështjellim në kokë. Herë herë më dukej vetja si i dehur, që s’më kish ndodhur kurrë më parë. Marjana më dukej si më e qetë, më e sigurt në veten e saj, ashtu siç jemi kur kemi kaluar një provim të vështirë. Ajo e kishte zemrën plot, ndjehej e kënaqur, sikur kishte korrur një fitore dhe po priste përgjigjen nga unë se çfarë po mendoja në atë moment. I thashë në mënyrë të përgjithshme, se po mendoj se si e kaluam ditën e sotme.

Dalëngadalë po zbriste muzgu dhe po mbulonte gjithçka. Ne ishim duke pritur aty tek restoranti, në trotuar disa të ulur, disa në këmbë që lëviznin. Tani plazhi dukej i boshatisur, pa drita fare nëpër dhoma. Dukeshin si hije të zeza të ndërtesave dhe të shtyllave të ndriçimin në bregdet. Dëgjohej shushurima e dallgëve në bregdet dhe një zhurmë e largët ku derdhej Shkumbini se përplaseshin dallgët e detit me rrymën që sillte lumi. Pylli me pisha më dukej sikur po merrte frymë thellësisht duke rënë në qetësi dhe një tis i lehtë muzgu po e mbulonte gjërë e gjatë.

– Erdhi autobuzi, – u dëgjua një zë që nga rruga. Ishte Mark Rovina dhe Dhimitër Shorja që rrinin në rrugë përpara shtëpisë së pushimit të punëtorëve.

U ngritëm të gjithë dhe po afroheshin tek rruga kur erdhi autobuzi dhe po merrte kthesën. Po hipnim të gjithë me radhë dhe zumë vëndet. Marjana hipi para meje bashkë me Liljana Tanin dhe më bëri me dorë se kishte mbajtur një vënd për mua. Me Liljanën u ul Dafina Sopi, vajza e shoferin dhe mbas tyre ishim ulur unë me Marjanën. Pasi hipëm të gjithë, mësues Gori po na shikonte se ishim të gjithë apo jo në autobus. Pasi u bind që nuk mungonte asnjë i tha shoferit që të nisej dhe u ul përpara pranë shoferit. Sapo kishte rënë muzgu dhe ishte errësuar pak, ishte në atë gjëndje të kalimit nga ditë në natë. Por nuk mund të quhej natë akoma, mund të quhej pa kompromis mbrëmje. Ndryshimi sapo ishte bërë. Rruga nëpër pyllin me pisha ishte pa dritë dhe ndriçohej vetëm nga dritat e autobuzit, që krijonin dritë hijet kur merrte kthesat dhe dukeshin pishat gjysëm të ndriçuara si krijesa gjigande, të frikëshme për ndonjë që i shikonte për herë të parë. Kur po i afroheshin pallatit të ushtrisë autobuzi frenoi se i kishte dal përpara një lepur dhe duke parë dritat e autobuzit kishte qëndruar në mes të rrugës. Të gjithë ishin pa vëmëndje nga tronditja e autobuzit dhe u ngritëm në këmbë të gjithë për ta parë. Mark Rovina shkoj tek dera e autobuzit që të dilte dhe ta kapte por shoferi nuk ia hapi derën dhe kur lepuri u largua autobuzi u nis. Të gjithë po rrinim në heshtje. Marjana kishte kapur dorën time dhe e mbante tek kofshët e saj dhe vështronte nga dritarja errësirën në pyll. Nuk e di se çfarë po mendonte ajo në atë çast. Të gjithë rrinin në heshtje dhe nuk kishin ndonjë gëzim që po ktheheshin nga një ditë plot surpriza (sepse të nesërmen do të kishim mësim, ) ndoshta jo për të gjithë, ndërsa për mua kishte qenë një ditë e veçantë që do të mbahej mend. Por edhe pse për mua ishte një ditë e veçantë, gjithë gëzimin e mbaja brënda nuk doja që ta çfaqja, le të rrinte për disa kohë e fshehtë. Të njëjtën gjë e shihja edhe tek Marjana, më dukej pak më e heshtur. Ditët tona tani do të ishin më ndryshe, si dy njerëz që kanë një të fshehtë që e dimë vetëm ne të dy. Do ta ruanim këtë të fshehtë për disa kohë, se ishte e brishtë , sapo kishte lindur, nuk donim që të na e vrisnin që në fillim. Në sytë e të gjithëve do të ishim njësoj siç kishim qenë, ndërsa kur të ishim vetëm do të ishim si dy të dashuruar që mezi presin të jenë për pak kohë vetëm. Isha në këto mendime kur autobuzi kishte kaluar pyllin me pisha dhe po hynte në qytet se u shfaqën dritat e shtëpiave të para. Aty përballë lapidarit do të ndalonte dhe do të zbrisnin disa që i kishin shtëpitë në anën veriore të qytetit dhe ata të qëndrës. Aty do të zbriste edhe Marjana. Më vinte keq që nuk do ta shoqëroja deri tek shtëpia, se unë do të zbrisja akoma më tutje në jug të qytetit. Marjana nuk ma kishte lëshuar dorën akoma edhe kur autobuzi ndaloi dhe filluan të zbrisnin, ma shtrëngoi dorën më përkëdhelje duke më parë në sy. U ngrita për ti lëshuar hapësirën që të dilte duke i thënë natën e mirë. Por unë kisha menduar ndryshe. Sikur do ta shoqëroja deri tek shtëpia dhe aty përballë pallatit të saj do të qëndronin pak diku në ndonjë errësirë dhe para se të ndaheshim do të putheshim. Pastaj ajo do të ikte me vrap për të mbuluar atë ngjyrën rozë në faqe kur të hynte në shtëpi që të thoshte se kishte vrapuar. Por këto ishin akoma ëndërrimet e mija absurde. Arritëm tek stacioni ku do të zbrisnim përballë qytezës së naftëtarëve, ku do të qëndronte edhe autobusi. Duke zbritur më kap prej mënge Liljana Tani duke më thënë më pritë pak. Ndalova sapo zbrita dhe prita Liljanën. Ajo më kërkoj që ta shoqëroja deri tek shtëpia e saj se ishte më në periferi, përballë ndërtesës ku përpunohej qumështi dhe rruga ishte e pa ndriçuar. Po më thoshte rrugës se e ngacmonte një djalë që rrinte aty tek qyteza e naftëtarëve, punonte në naftë dhe e kishte ndaluar dy tre herë. Po e shoqëroja Liljanën se nuk ishte më shumë se pesëqind metra më tutje. Rruga në një anë ishte me shtëpi dhe nuk ndriçohej, ndërsa në anën tjetër ishte një kanal plot me ferra dhe shkurre. Kur u afruam tek porta e saj mendova se do të ikte me vrap duke më thënë faleminderit dhe natën e mirë, siç bëjnë zakonisht vajzat për të shmangur ndonjë puthje nga shoqëruesi. Një herë i kishte ndodhur kështu Ilirian Shahut kur kishte shoqëruar Lina Notin dhe kur po ktheheshin nga një mbrëmje vallëzimi, pa arritur mirë tek porta kishte ikur me vrap duke i thënë natën e mirë vetëm kur kishte mbyllur portën. Por më vonë Lina ishte shprehur vetë një shoqeje të saj se kishte ikur me vrap nga frika se mos e kapte tek porta dhe e puthte. Por Liljana jo që nuk iku me vrap por ndaloi tek porta e saj edhe pse ishte pak errësirë duke hequr edhe bluzën me mëngë të gjata duke thënë se kishte vapë. Më kapi dorën e djathtë duke më tërhequr në të majtë të portës, poshtë një kumbulle që e bënte më errësirë dhe në qindtën e sekondës që unë nuk e prisja, u mbështet tek unë duke më puthur me afsh pa i hequr buzët nga buzët e mija. Unë mbeta i habitur se nuk e prisja që të më puthte ashtu me pasion, ndërsa shtrëngonte gjoksin e saj tek trupi im. Unë nuk po reagoja nga që ishte e papritur dhe mbeta i turbulluar. Nuk e di se kush e trëmbi atë, por atë çast u ndje një kërcitje dere që u hap dhe një kollitje burri. Kur dëgjoj kollitjen ajo u tërhoq menjëherë duke hapur portën e saj për të më thënë natën e mirë. Këtë ngjarje ajo nuk ma përmëndi më asnjëherë, por gjatë një mbrëmje vallëzimi në vitin e katërt, pas shumë vallzimeve që bëri me mua ma kujtoi, duke më thënë që atë natë kishte shumë dëshirë të bënte dashuri me mua. Liljana më pëlqente, ishte një vajzë e bukur e zhdërvjellët, e çiltër dhe e shkathët por unë sapo isha lidhur me Marjanën. Ndoshta me Liljanën kisha humbur një rast që më vonë do të më mbeste në mëndjen time dhe do të vuaja sa herë të më kujtohej.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT