I bukuri, i miri atdheu im,
Mes maleve që të rrinë si mburojë.
Përulem para teje me përgjërim,
Flamurin me shkabë ta adhuroj.
Hedh sytë mbi lëndinat që rrëzëllejnë,
Mbi liqenet e kulluar sytë më ndrijnë.
Detet dhe qielli sa bukur shkëlqejnë,
Por befas më kap së thelli trishtimi.
Kur shoh sesi ikim, të braktisim,
Të shoh të rrënuar, Atdheu im.
Djemtë e vajzat vallë për ku nisen,
Po vatrat pa burra si do rrinë?
Rri pres në prag me zemër të ngrirë,
Një ditë do ktheheni, o të dashurit e mi!
Vështrimin e përlotur tres tej, në hapësirë,
Zemërdridhur, shpirtngujuar rrugës rri…