Nga Mentor Serjani
«Tregimi i shkurtër është forma më e vështirë dhe disiplinuese e shkrimit të prozës që ekziston»
Truman Capote
Pasi mora në dorë librin «Djajt e Qytetit të Shenjtë» të Vasil Klironomit menjëherë një shtysë e fortë më erdhi së brendëshmi për ta lexuar,për të zbuluar se si këta personazhe real apo të trilluar të autorit të jetonin dhe vepronin në një qytet të shenjtë.Të nxitet kureshtja jo thjeshtë për ta lexuar ,por si të thuash për ta përpirë atë, në mënyrë figurative.Libri hapet me skicën letrare«Kolombi i vogël» i cili gaboi duke thënë se zbuloi rrugën për në Indi dhe jo kontinentin e ri ,ashtu edhe kolombi i vogël i librit u zhgënjye me realitetin që gjeti në qytetin e tij të masakruar nga betonimi dhe shkatërrimi i pyjeve nga duart e njerzve të tij ndryshe nga ç’mendonte dhe kujtonte ai nga koha e dikurshme,pra llogari e gabuar ,por le të vazhdojmë më shumë me mesazhet që përcjellin pa u hallakatur shumë tek subjekti të cilin le ta lëmë për lexuesin .Më tej vazhdon me « këpuca e Kostaqit»ku paraqitet natyra liberale,kerkesat ndaj jetës ,duke ironizuar paradokset e sistemit,ku mungonin gjëra elementare për një jetë më të mirë ,ku çdo gjë e jashtëme trumbetohej si mbeturinë borgjeze ,ku njerzit ëndërronin për një veshje më të mirë apo siç e quanim atëherë,të kohës.Po bëjmë një paraqitje të shkurter,çfarë do të thotë,apo çfarë është proza; Prozë vjen nga fjala latine «prosa oratia» që do të thotë fjali e drejtpërdrejtë,fjalë direkte ,në historinë
e prozës shqipe në Shqiperi kanë shkëlqyer Konica,Noli,Migjeni ndërsa në atë botërore: Dikens,Çehov ,Nabakov etj.Dhe kështu në mënyrë të drejtpërdrejt rrjedhin tregimet e Klironomit ,si një reflektim i një bashkëbisedimi të zakonshëm ,për njerëz,ngjarje,vende,hidhërime, gëzime që kanë lënë mbresa tek autori ,shkruar me shumë dashuri dhe zbukuruar me një dekor romantik që i buron vetishëm i frymëzuar nga muzat.Për të vazhduar me «Sulon»që humbi pesëqindlekshin ,por gjeti qetësinë se nuk e gjeti «shakaxhiu»,me tregimin «Si dy pika uji»ku përshkruhet bukur një takim shoqëror,jeta artistike,ngjashmëritë dhe tradhëtitë.Pra skicat,tregimi e më në fund novela vjen me një gjuhë të ndryshme komunikimi duke bërë kështu një jehonë të veçantë në ndërgjegjen e njerzve në qëllimet e tyre ,por edhe një zgjidhje të kënaqshme për lexuesin me stilin e tij të veçantë të shkrimit.Proza e Klironomit ka si personazh njerzit ,por edhe kafshë apo krijesa të tjera me ngjarje reale apo të trilluara.Tregimi «Filip(Lipja)»,trillet e Sotirit dhe nofka që i vunë Lipja gënjeshtar ,kjo mënyrë e trilluar e shkrimit e drejton Klironomin si shkrimtar në gjetjen e emocioneve dhe veprimeve të natyrshme duke i dhënë kësisoj shkrimeve të tij një cilësi poetike të cilat shndërrohen pastaj në efekte të fuqishme emocionale,si rezultat i trillimit si një gjuhë karakteristike figurative;tregimi «Kanarina» ku përshkruhet dashuria e Rakelës për shpendët; «Në ritëm poezie»historia e dashurisë së dy të rinjve ; «Eleftheria» ku përshkruhet bukuria,misteri i largimit të saj duke e shndërruar apo klasifikuar si një legjendë .
Legjendë në latinishtë do të thotë ajo që duhet lexuar.Të gjitha këto i japin lexuesit,gjatë leximit, imazhin e kënaqësisë dhe e veshin pentagramin e tij shpirtëror me nota poetike ,me një tingëllim të bukur ,të ëmbël dhe përkëdhelës si një ninull,duke mos e lënë thjeshtë në formën strikte të një proze standarte.Përshkrime të bukura janë edhe«Vendlindja : OqeaninAtlantik»dramat,peripecitë.Në prozën e tij ka ëndërr,tregimi «një histori e shkurtër» apo tek «Një me një»dënon veset e shoqërisë si dhe dramat njerëzore tek «Kalvari»,historinë e dashurisë tek«Mrekullia»,tregimin e jetuar dhe rrëfyer bukur«Vëllai».Pra kemi të bëjmë me një prozë narrative ku ne fokus janë histori të ndryshme të rrëfimit,pra një prozë me një qartësi shprehëse dhe informative .Vazhdon me një prozë argumentuese si tek «Udhëtari i panjohur» shkruar edhe si një opinion ose kritikë.Markez na mëson se: «Të shkruash një tregim është shumë herë më e veshtirë se të shkruash një roman»,pra duhet aftësi e madhe që me pak fjalë të përcjellësh tek lexuesi mesazhin,duke e situr mirë fjalën dhe duke e kopsitur atë në mënyrë racionale për të mos shkaktuar«inflacion»te tregimi. Mbyllja e këtij vëllimi bëhet me novelën apo noveletën do ta quaja unë për nga numuri i fjalëve dhe faqeve: «Takohemi të shtunën».Novela si gjini letrare është një prozë narrative e vërtetë ose e trilluar më e gjatë se tregimi dhe më e shkurtër se romani,është një zhanër letrar që i ka fillimet e saj ne rilindjen italiane dhe vazhdon me tej me Shekspirin ,Heminguej,Flober etj ,ndersa tek ne novelistet më të mirë janë :Ismail Kadare,Faik Balkanca,Nonda Bulka etj.Pra duket se libri i Klironomit në tërësi të rrëmben e të shpie në viset e tua ku dëshmohen ngjarje ,prelude muzikore,me fjalët që u vishen personazheve ,një prozë me realizëm magjik,bukuri joshëse,mahnitëse,që të ndezin shpirtin.Pra autori do të lëjë kështu stilin e tij të të shkruarit,veçorinë artistike dhe stilistike që do ta vërtetojë koha ,duke e pasuruar ndoshta me mirë fondin e letrave shqipe.Figurat letrare dhe figuracioni popullor i përdorur jo me tepricë e bëjnë prozën e Klironomit të bukur dhe«ngrehinën»e saj me një arkitekturë moderrne në përjetimet dhe realitetet kohore ,shoqëruar me një gjuhë ekspresive dhe mendim të avancuar Përfundimet e tjera le ti nxjerrë lexuesi dhe kritikët ,pasi une i përmbahem shprehjes së Uilliam Folkner : «Artisti nuk ka kohë të dëgjojë kritikët.Ai që dëshiron të shkruaj nuk ka kohë të lexojë kritikat» .Novela siç i quan ai e tregimet apo skicat rrëfimet,noveletat siç mendoj unë janë plot gjetje të imta e interesante nga përvoja disavjeçare e autorit dhe e këtyre «djajve» të shumtë e të pangjashëm me njëri tjetrin,kuruar me kujdes deri në përsosmëri,shkruar me një elegancë të admirueshme nga autori.Po kush është Vasil Klironomi ,cila është krijimtaria,si shprehen njerzit e letrave për të,po e zhvillojmë më poshtë duke u munduar të ndërtojmë spektrin e krijimtarisë artistike të tij,i cili është njëkohësisht poet,prozator dhe përkthyes.Atëherë le të renditim me radhë fragmente të shkurtra nga autorë të ndryshëm për prurjet e Klironomit në letërsi:
Pak fjalë për vëllimin poetik “Fragmente Qeramike”të poetit Vasil Klironomi
Sofia Moraiti (kritikja e mirënjohur greke e diplomuar nga Universiteti i Sorbonës në Paris) Μe gradën master dhe doktoratë në Universitetin e Athinës.
“Thash më parë se poeti paraqet realitetin dhe si rrjedhojë jetën e vet, nëpërmjet një lente zmadhuese të botës së tij shpirtërore.”….
…..”Për të gjitha emocionet që na afron dhe që me të cilat na bënë pjesëmarrës, për mesazhin optimist që na dërgon, për harenë e simpoziumit shpirtëror në të cilin na fton, për bukurinë e vargjeve të tij, e falënderojmë.”
Dr. Sofia Moraiti.
Nga Agim Mato
25 poezi nga “përmbledhja “Plagë qeramike”
Vasil Klironomi është poet nga Saranda dhe ka emigruar këtu e 20 vjet në Greqi. Ka botuar 2 libra me poezi shqip dhe boton në Athinë në gjuhën greke krijimet e veta. Vasili ka punuar shofer në Parkun e mallrave të Sarandës, dhe i magjepsur pas poezisë dhe metaforave, shkruan në kohë të lirë në kabinën e mjetit të vet, duke pritur ngarkimin e qymyrit në Memaliaj. Shkollën e poezisë e bëri kështu, në shoqërinë me ne krijuesit e atëhershëm dhe në vetminë e udhëve të gjarpëruara të jugut, duke i përshkuar ato me fantazinë e tij të ndezur. U rrit si poet në klimën e poezisë joniane. Vasili është vlerësuar nga poetë të njohur grekë, si Kostas Evangjellatos, i cili ka prezantuar librin e tij të fundit në veprimtarinë e organizuar me këtë rast. 25 poezitë në përmbledhjen e tij : “Plagë qeramike”,
i përktheu në shqip poeti Vangjel Zafirati.”
A. Mato Dt 07/08/2015
Njerzit e pa fantazuar të Vasil Klironomit.
Nga Grigor Jovani
“- Mendime rreth vëllimit me tregime dhe novela
“Djajtë e qytetit të shenjtë” –
Djajtë e qytetit të shenjtë”.
Ballafaqohesh qysh në fillim në këtë libër me një risi artistike. Lexon tregime të shkurtra, si tek O’Henri apo Gorki.
Klironomi njihet tashmë si poet mjaft interesant, i veçantë, me botën e tij krijuese. Poet i figurshëm, spontan, i një metrike të veçantë poetike, me prirje kah temave si të thuash “të fosilizuara” të mitologjisë, kryesisht asaj helene, por që gjallërohen, marrin jetë dhe shpërndajnë ide dhe mendime, nëpërmjet aktualizimit të tyre. Modernja tek lëvrimi i historisë së njeriut dhe kombeve, ja, kjo është e veçanta e poezisë së Klironomit.
Ky libër përmban 25 tregime të jetuara, të cilat përshkruajnë përvoja dhe ngjarje reale, të përpunuara me stilin e veçantë të autorit.”
Vlshtrime rreth imazheve dhe veçorive poetike që e karakterizojnë vëllimin poetik “Plagë Qeramike”
Nga Arqile Vasil Gjata
“Klironomi ka sjell një mendim e konceptim të ri, duke e emancipuar poezinë e kohës nga rutina poetike dhe notat retorike të vargëzimit, në një strukturë poetike moderne, ndryshe, individuale dhe me vlera estetike që i japin lexuesit ngarkesa emocionale dhe ngadhnjim artistik.”
Arqile Vasil Gjata …vazhdon…
poezia e V.Klironomit, po ta lexosh në greqisht, kan vlera shumë më të mëdha se të përkthyera prej tij në shqip. Kjo sepse, gjatë përkthimit ndodh fenomeni i rrjedhjes estetike.”
Poezia vjedh kohë nga terri
Nga Alush Avduli
“Plagë Qeramike’’ gjason me një organizëm të gjallë që ligjëron rrjedhshëm me vibrime thellësie, me ngjyrime të freskëta e begati mitologjike, me sinqeritetin e figurshëm të gjuhës së dehur në çastin hyjnor të frymëzimit.”
Një urim për librin e ri të Vasil Klironomit
Me shumë respekt MYSLIM MASKA Athinë, 24-tetor 2023
“Të gjithë tregimet dhe novelat janë shkruar shpirtërisht bukur, konçizë, pa teprime letrareske, gjë që tregon dhe talentin mjeshtëror të autorit. Vasili di ta përzgjedhi realitetin, ta interpretoj dhe rindërtoj në fantazinë e tij dhe t’i kthej të distiluara në realitet. Kjo, sipas meje e bënë prozën e tij të besueshme dhe brilante.”
Saranda Channel Nga Sokol Jonuzi
Reporter në qytetin e Sarandës.
“Veprimtari kulturore.
Klubi i krijuesve Jonianë në bashkpunim edhe me një grup gazetarësh ,intelektual si dhe miq të poetit Vasil Klironomi organizuan promovimin e librit me tregime të autorit Vasil Klironomit librin me titull .
“DJAJTË E QYTETIT TË SHENJTË”
Ky aktivitet është mbajtur paraditen e sotme 15 shtator 2024
në Galerinë e Arteve në Sarandë.”
Në përmbyllje të shkrimit tim dua të jap një këshillë që më vjen ndërmend tani e cila vlen për të gjithë krijuesit ,të Sharl Bodler «Gjithmone ji poet,edhe ne proze»
Libri eshtë botuar nga shtëpia botuese EMAL në vtin 2023 rruga Him Kolli Pallati Nr 41 Tiranë me dizajn grafik nga Mimoza Vasku.Urime autorit.
Athinë më 15/12/2024