Monday, August 4, 2025
BallinaVitrina e libritNikolle Loka-Në vend të luleve

Nikolle Loka-Në vend të luleve

Edhe mungesat kanë domethënie,
pse të mungojnë lule dimrit në një park,
pse të mungojë shpresa në një pragmbrëmje,
pse të mungojë fryma në një fllad!

Edhe mungesat kanë domethënie,
ti i mungon kohës pak nga pak,
deri sa vjen dita e kthehesh në dhembje,
mungesa jote të kthehet në plagë.

Në vendin tënd as dritë as hije,
nuk do të gjejsh as kohë as vend,
veç nëpër parqe e ndër kopshtije,
lulet përmendin emrin tënd.

Brenda detit

Brenda detit ka male të përmbytura në ujë,
që kurrë s’ua pamë kreshtat e bardha,
shkëmbinj që shkëputen
e s’bien deri në fund,
ka lugina të thella,
hapësira të gjata e të gjëra.

Brenda detit ka vende ku humb,
e rrjedha ku shfaqesh papritur,
ka toka të virgjëra,
dallgë që kthehen në shkumë,
lumenj që rrjedhin nën rrugë e mbi rrugë,
e shkojnë në drejtim të paditur.

Brenda detit ka vende ku heshtja merr kuptim,
stacione ku të pret e djeshmja,
rrafshnalta ku dallgët marrin frymë,
një thirrje për shpëtim,
dhe një amanet të përjetshëm.

Dhimbja

Një klithmë
mbetet brenda shpirtit
ofshamë,
rrjetë e territ
zgjatet fije-fije,
nëpër lara dielli
e në sytë tanë,
dita përplas veten
pa vetëdije.
Në horizonte
një dritë shuhet e ndizet,
koha shëron plagë
me lotin ëndrrimtar,
kur jeta nis
të pastrojë gjirizet,
terri derdhet
diku në një ujvarë.
Po zemra ec
në rrugë të shkelura vjeshte,
mendja tretet
në ndryshkun vjeshtak,
ku dhimbjen e ndjen
në brymë mëngjesesh,
te gjethet që bien
pak ngapak.
Prej gjetheve që bien
nën ritmin e erës
që shfryn…,
dhimbja vjen
si mjegull a si brymë.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT