Saturday, December 21, 2024
BallinaVitrina e libritMimoza Ahmeti: Pjalmimi i luleve

Mimoza Ahmeti: Pjalmimi i luleve

Ishte një vogëlush si drita
me sytë si nata
i gjithi yll.

Qëndroi përpara humnerave të mia,
i befasuar klithi:
Zonjë, ju po rrëzoheni!

E di, i pëshpëriti vështrimi im,
dhe me krahët e mi e pështolla
puthjen e tij të qumësht si seksi i tij-
aq mund të më dhuronte të më shpëtonte.

Gjithë ditën fekondonte lule
dhe në mbrëmje, kur e pickonin yjet
vraponte, thërriste:
Zonjë! Ju po vdisni, ju po gremiseni!
dhe prapë një puthje qumësht.

Ishim të dërmuar të dy:
puthjet me gjarpërinj që patëm premtuar
dhe përqafimet me ujqër
nuk mundëm t’i bëjmë.

Dhamë ca puthje me bolla lënguese
që pas një dite bëheshin shëruese.
Shpejtësinë e plumbit ndjeja përballë humnerës
dhe shvoshkjen e pakapshme nga gëzhoja…

Shko vogëlushi im, mos ma shto vetminë
me përpëlitjen tënde për të më shpëtuar,
Shiko si i lëpijnë buzët e kulloshtra, të dobëtit,
duke na lakmuar…

Unë e di: do të qash me lotë zemre për mua
dhe do ta përdorësh seksin tënd si kamë
për t’ua ngulur në bark
atyre që përqeshin përpëlitjen.

Dhe në gremisjen time do të shoh si në ëndërr
pjalmimin e luleve.
Dhe do të jem per ty më e Bukura e Parajsës
sikurse isha dhe më e bukura e ferrit.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT