S’kam çiflig e s’kam pallate,
S’kam dyqan me katër kate,
Po e dua Shqipërinë
Për një stan në Trebeshinë,
Për një shkarp e për një gur,
Për një gardh e për një mur,
Për kasollen mbi Selishtë,
Për dy ara në Zallishtë,
Për një lopë e për një gomar,
Për një Balo, një manar.
Unë e dua Shqipërinë
Si bari dhe si fshatar.
Unë e dua Shqipërinë,
Për tërfilin mi lëndinë,
Për një vajzë gjeraqinë,
Dhe për ujët që buron
Nga një shkëmb e gurgullon
Nëpër lista gjetheshumë,
Edhe zbret përposh në lumë.
Unë e dua Shqipërinë
Për një lule trëndelinë,
Për një zok që fluturon,
Për bilbilin që këndon
Në ato ferra në ato hije
Këngë malli e dashurie,
Këngë shpirti të helmuarë.
Unë e dua Shqipërinë
Si poet i dhemshuruarë.
Unë e dua Shqipërinë
Që nga Korça e Vraninë,
Ku del bujku që me natë
Me parmendë dhe me shatë,
Mbjell e korr me djell, me hënë
Dhe s’ka bukë për të ngrënë,
Ku nallbani dhe samarxhiu
Mjeshtri, kallfa e kallajxhiu,
Krrusen ditë e krrusen natë,
që të hanë bukë thatë,
Ku hamalli nëpër skela
Ngarkon hekur dhe varela,
Këmbëzbathur, b… çjerrë
Punon vetëm për të tjerë.
Unë e dua Shqipërinë
Që nga Shkupi e Janinë,
Ku një popull derëzi
Heq e vuan robëri
Po ka shpirtin luftëtar.
Unë e dua Shqipërinë
Si shqiptar e bir shqiptar.