Mi zall të pyllit vjeshtarak,
Dremit liqeri pa kufi,
Ay ndaj fundesh u përflak
Posi me zjarr e me flori.
Posi me flakë-u ndes e kroj,
E vetëtiti plot magji,
E yll´ i ditës perëndoj
Në qetësi dhe dashuri.
Tashi po shuhet nënë mal
Qytet´ i ngrysur në të zi.
Po ndizen yjtë dal-nga-dal
Plot bukuri! plot fshehtësi!
Në këtë ças perëndimor,
Ndaj po më dehen sytë-e mi,
Kuptoj si shpirtin vjershëtor
M’a frymëzon një mall i ri.