Mlidheshim si zogjë pule përditë.
Rreth sofrës së Nënës Xhemile.
Bukën kallamoçe, djathin, kosin në kalanicë.
Shijonim rrallë petët e ndonjë flije.
Nana Xhemile, maxhetorja më e mirë
Mbi kokë na rrinte me ibrik me ujë kroi
Ha më shpejt oj zemra ime dëlirë.
Më thoshte kur rufitnim petë lakrori.
Unë gëzohesha kur radhën e maxhes
E kishte nëna ime Mbretëreshë.
Isha fëmija më i gëzuar i lagjes
Si ketër lodroja, si luleshqerrë.
Zotin falënderoje bir.
Se vitin tjetër na shtohet bereqeti
Më porosiste nëna ime e mirë.
Kampione që ishte për bukë çerepi.
Kur tundte ajo tëpinin me qumësht dhije
Copat e gjalpës kur i nxirrte në tinar.
Mysafirë linin gishtat në tepsia flije.
Oda jonë përmendej në shtatë mahallē.