Një grua e ndien aromën e burrit që do,
edhe kur vesëholla gjurmët ia ka fshirë,
kur karafili stinëve kundërmon ngado
dhe kur dorëzonja deh ditët, me të mirë.
Një grua sheh syrin e burrit që dashuron,
mes muzgut kuqalosh që mbledh bukuritë,
nën velin e agimit, kur nata lodhur shkon
dhe trëndafilja ditë shtron gjithë mirësitë.
Një grua njeh zërin e burrit që dashuron,
mes këngës së valës, që ligjëron në breg,
mes korit të zogjve në shtegtimin e vonë,
kur vjeshta zverdhon gjethet nëpër degë.
Një grua e ndjen pranë burrin që dashuron,
kur ai folenë ngre brenda zemrës së saj,
kur diellin e dashurisë, pa kusht ia dhuron
dhe frymën e shpirtit gjer në vdekje ia fal.