Gjiganti turk i futbollit, Fenerbahçe, ka rritur interesimin për transferimin e Vedat Muriqit.
Mediat spanjolle, duke përfshirë “Mundo Deportivo” kanë shkruar të martën mbrëma e të mërkurën që Fenerbahçe është e gatshme të paguajë 10 milionë euro për të siguruar shërbimet e sulmuesit të Kosovës në afatin kalimtar të janarit.
Nga Fenerbahçe pritet të largohet Youssef En-Nesyri, që po joshet nga një ofertë prej Arabisë Saudite. Dhe skuadra e Jose Mourinhos më pas mund ta transferojë Muriqin.
Mbetet të shihet nëse Mallorca, që paraqitet në gjysmëfinale të Superkupës së Spanjës më 9 janar, do të pajtohet të heq dorë nga Muriqi.
Muriqi ka qenë më parë pjesë e Fenerbahçes, ku në edicionin 2019/2020 kishte shënuar 17 gola në 36 paraqitje, ndërsa i kishte edhe shtatë asistime. Ato paraqitje ia mundësuan transferimin te Lazio.