Muza e kujtesës m’i rrëfeu
sytë e tu t’etshëm shekujsh për dritë
dëshirën e skuqur vullkan
e bukurinë ujvarë
fjalën, besën
e dashurinë testament në gji
me historinë ruajtur si pajë nusërie
vargu im drithërueshëm gravon
tinguj gëzimi e lumturie
me buzëqeshjën zambak të derdhur stinësh
kaltërsia e Jonit dehja e shpirtit
tingujt e gjuhëve tjera burimin e kanë tek ty
sytë t’i pushton ngazëllimi si një fëmijë
dua vetëm lotët e gëzimit faqeve të të rrëshqasin
si kristale dëbore mbi horizontin e lirë të pëlcasin
rinoi dëshirat le të marrin hovin tatëpjetë
si ëndërrat e dëshmorëve që ndriçuan qiejtë
puhizë po të bie mbi ata sy
kam frikë mos t’a prish atë bukuri
se të dua fortë
të kam gëzim e lot!