Ata sy të bukur si gurë xhevahiri
Ishin sy të zi, sa ëmbël shkëlqenin
Disi ne i takuam në një vend pahiri
E ata në mes veti t’gjitha i rrëfenin.
Si yll i vetmuar qëndroje lart në qiell
Unë nga largësia ta kapja shkëlqimin
Në netët pa gjumë më ngrohje si diell
Një ditë u grindëm, e humbëm durimin.
Larg më mbete, po larg dhe të pata
Rri më tej atje, më mirë nga largësia
Me gëzim e prisja të mbaronte nata
Që të t’i rrëfeja gjithë ëndrrat e mia!
S’merrja guximin që ty të afrohesha
Të të mbaja larg, ashtu më pëlqente
Nga fjalët e tua disi edhe ngrohesha
Nuk lejova dot mendja t’më gënjente.
Vazhdo më tej, shndrit nga largësia!
Për mua më mirë, çdo natë të shijoj
Ti rri atje larg, unë n’kujtime të mia
Kështu më shumë të dua deri sa t’jetoj!