Ç’kërkojmë të dy në këtë vend të huaj
plot me re, me mjegull e me ftohtësi?
Njerëzit harrojnë të të përshëndesin,
të shmangin dhe ndjekin lumturinë.
Ç’kërkojmë të dy në këtë vend të huaj
ku të fiksojnë pse flet një tjetër gjuhë,
portet mbyllen, edhe muret lartohen,
në tokë mbillet urrejtje e pakënaqësi.
Të dy pijmë një gotë verë të bardhë,
kamarieri vjen, ngrohtë na buzëqesh,
ne për një çast gëzohemi se besojmë
në një botë më të mirë, pa e ditur
se pak më vonë ai me disa euro më
tepër çmimin alkoolit do t’ia ngrejë.
S’e shohim borën që bie pa pushim,
këtu në bar nuk ndjejmë të ftohtë
as nga njerëzit, as nga kjo ngricë.
Mjaftoka pak alkool që me ngjyrat
më të bukura bota të vizatohet sot.