Tuesday, January 21, 2025
BallinaVitrina e libritNatasha Limaj-MOJ E ËMBLA IME…

Natasha Limaj-MOJ E ËMBLA IME…

Moj nënokja ime,sa herë të kujtoj,
Ledhatimin tënd,më duket provoj.
Në qoshk te oxhaku,vë kokën në prehër,
Ngrohemi të dyja,porsi një e tërë.
Zjarri bubulak ,kërcunjtë i përpin,
Flaka gjuhëmadhe, rrotull tij lëpin.
Shkëndijat si yje hidhen ,xixëllojnë,
Fërshëllen bujashka,Kush na mban në gojë?!…
Kongjillin me mashë, qëllon të thërmohet,
Shpuza flakërimë ,dhoma ,oh, sa ngrohet!…
Rrinim ne të dyja ,deri natën vonë,
Ndonjëherë më thua ,një tregim lexomë!..
Nis lexoj ,me patos “Dita e flamurit”
Ti nënokja ime, lotë rrëke,prej syrit.
Kalon mesi i natës ,a do flemë ,moj bijë?..
Një mashëzë hi , mbi ata kongjijë!…
Krevati na priste, në të djathtë, të dhomës,
Bardhësi çarçafët ,si lule dëborës.
Për të ngrohur vendin ,përpara ti shkon,
Duart nënë sqetulla, fortë m`i shtrëngon.
Ah, këmbët e mia…akull ,cingërimë…
Më thoshje : t`i ngrohësh,afroi barkut tim.
Eh ,ti moj nënoke ,sa sakrifikoje!…
Tortura çnjerëzore ,për mua duroje.
Ti duroje ftomën ,ti duroje vapën ,
Dhe lodhjen sfilitëse ,veç e veç për vajzën.
Moj e shtrenjta ime ,shtëpinë,kur pastroje,
Zhgarravina gjeje ,nën dyshek i çoje!…
Dhe më pyesje mua,po këto i do?…
Mos i ke të shkollës ,mblidhi bijëzo!…
Moj e ëmbëla ime,herët në mëngjes,
Më ulesh te shtrati ,më zgjon me kujdes.
Dhe ,kur vij nga shkolla ,buzagaz më pret,
Përpara te porta ,fillon e më pyet.
Mirë kalove sot,moj e vogla ime?…
Besoj nuk je lodhur, nga ato mësime?..
Unë ,po e uritur,të them:- ç`më ke bërë?…
Ti ,gjithmonë e qeshur , një vezë të tërë!…
Vetullat i ngrys, – veza do më ngop?!…
Ti më fërkon krahët,është e” madhe”plot…
Eh ,nënokja ime ,gjithmonë duke qeshur,
Shpirti yt i butë,me hyjnoren veshur!…
Eh, nënokja ime ,kurrë nuk u mërzite.
Dekada me radhë ,për ne u sfilite….

Me nostalgji dhe dashuri të pakufijshme ,për hyjnoren nënë!…

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT