Monday, September 1, 2025
BallinaVitrina e libritPiro Millona Minella-...CIKLI: KUJTIMET PËR ELBASANIN...

Piro Millona Minella-…CIKLI: KUJTIMET PËR ELBASANIN…

….”Çdo gjë ishte si më parë në shtëpinë e hershme, por mungonin ata, prindërit e saj të dashur….”

…Autobuzi e la tek unaza e qytetit të saj të lindjes.

Ajo u ngrit rregulloi bluzën veshi xhakaventon dhe pasi mori çantën e udhëtimit zbriti.

Era e Krastës e përshëndeti e para. I uroi mirëseardhjen në atë qytet ku u lind dhe u rrit. Ishte hera e parë që nuk do ta priste askush dhe një “sëmbim” i theri në zemër.

U çapit ngadalë duke tërhequr çantën e udhëtimit. Rrotat e saj bënin një zhurmë të padëshirueshme për veshët e saj.

Ecte ngadalë në rrugët e boshatisura të qytetit akoma të përgjumur. Ecte dhe mendonte. Kishte këmbëngulur të kthehej në qytetin e saj vetëm mbase ishte një lloj pendimi, kur mendoi për boshllëkun që e priste, por nuk mund të kthehej prapa.

Kësaj here këmbët mezi po i bindeshin ndjeu dridhje të gjunjëve po numëronte hapat deri në shtëpinë e saj.

Historia e prindërve të saj, ishte një histori e bukur dashurie…

I jati ishte burrë i pashëm përherë i qeshur.

Kurse e jëma grua e qetë dhe fjalëpakë dhe shumë e bukur.

Ishin dashuruar në moshë shumë të re.

I jati kishte qënë edhe baba shëmbullor edhe bashkëshort i denjë për mamanë e saj bukuroshe. Të dy duheshin shumë. Nuk mbante mend asnjë zënkë “serioze”, që mund të kishte krijuar ndonjë të çarë në dashurinë e tyre, por vetëm “zënka” të çastit.

Të dy ja dinin njëri tjetrit “midenë” dhe pas pak “zënka” shuhej pa filluar ende.

Nuk e kuptoi pse po i vinin kështu si burim kujtimet nga fëmijëria e largët e deri në momentin e ikjes së fundit nga shtëpia.

Shtëpia e prindërve është gjithnjë e mbushur me shumë kujtime. Dhe sidomos tani kishte nevojë, që boshllëkun e krijuar nga mungesa e prindërve ta mbushte me ato kujtime të gjalla tepër të bukura duke përfytyruar prindërit ashtu të qeshur, më tepër se të lumtur.

Po ashtu i mbante mend edhe tani.

Rruga kaloi me këto kujtime dhe befas u gjënd para portës së jashtme, ndaloi mori frymë thellë dhe e vështroi me vëmëndje. Vuri re se duke mos shkelur askush për kaq kohë, që kur ishte për herë të fundit tek pragu kishte mbirë bar, që normalisht tani ishte rritur.

Hapi çantën e dorës dhe mezi e gjeti çelësin duke rrëmuar një copë herë. Duart nuk po i bindeshin, po i dridheshin instiktivisht.

Kushedi sa qindra herë e kishte hapur portën, por gishtat i dridheshin nga emocionet dhe nuk arrinte të rrotullonte çelësin.

Shtyu derën dhe para saj u shfaq bota e bukur e oborrit të saj të brendëshëm.

Pemët e kishin ruajtur gjelbërimin.

Ju prenë gjunjët dhe u këput në kolltukun e guzhinës, la çantën.

Ishte hera e parë që vinte në shtëpinë e saj në atë lagje të dëgjuar të qytetit dhe nuk gjente asnjë gjurmë të prindërve të saj.

Lotët i rrëshqitën në faqe dhe ashtu zbrisnin ngadalë në mjekrën e saj. Nuk kishte njeri dhe i la të rridhnin. E lehtësuan ata lotë në vetminë e saj, por i ndjeu që ishin tepër të hidhur ata lotë. Sigurisht ishte mungesa e prindërve që përziheshin në këta lotë të hidhur.

Rrotulloi shikimin e saj dhe përshkoi tërë ambjentin çdo gjë ishte si e kishin lënë prindërit e saj deri ditën e humbjes së mamit.

Mbasdite vajti e vetme në varreza duke çuar dy tufa me lule një me trëndafila të kuq si i pëlqenin mamasë dhe një me karafila të bukur sipas shpirtit të babit të dashur.

Aq ditë sa qëndroi kaloi orë të këndshme mes shoqeve dhe miqve të vjetër, por kur kthehej në shëpi dhe mbyllej në vetminë e saj ndjeu që asgjë nuk ishte më si më parë.

Pjesa më e dashur e zemrës së saj kishte ikur bashkë me ata. Gjithë ditët që qëndroi në shtëpinë e saj nuk ndryshoi asgjë.

Donte të mbeteshin si i kishin lënë ata kështu edhe ishin më të gjalla tamam si një film me seri që vazhdon edhe më vonë.

Erdhi dita për të ikur. Shpërtheu në ngashërime dhe me dashuri të veçantë çdo gjë në ikje .

Kështu e mbylli edhe portën e jashtme me kyçin e madh në këtë mënyrë u vulos dhe prapa mbeti heshtja e rëndë. Me vete mori kujtimet për prindërit saj.

Sytë i vajtën edhe tek bari jeshil i mbirë aty, për rreth portës së jashtme. U përkul i përkëdheli ato fijet e gjelbërta sikur të ishin të gjalla, po aq të gjalla ishin edhe kujtimet që po linte pas. I përshëndeti për herë të fundit.

….Eci dhe mendoi edhe në udhëtimin e ardhshëm, ato fijet e barit jeshil do t’i uronin të parat dhe të vetmet mirëseardhjen në shtëpinë e saj, tek lagjia e saj e dashur “Kala”….

Shënim: Çdo ngjajshmëri me ngjarje apo përshkim tjetër është krejt i rastësishëm.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT