Wednesday, March 12, 2025
BallinaVitrina e libritPetro L. Sota -LEGJENDA E TANËS

Petro L. Sota -LEGJENDA E TANËS

LEGJENDA E TANËS
——————————-
( ose fyelli i Tanës )

Nga një tjetër fshat, djali qe,
Por si një bari, kishte ardhur
Në një stan diku, nata e ze,
Dita e zgjon që pa zbardhur

Përball fshatit të Lapërdhas,
Po në atë stan, ai do të rrinte,
Kulloste delet e Sheh Belas,
Dhe gjithë ditën fyellit i binte.

Nëpër pllaja kulloste bagëtia,
Bariu i gëzuar fyellin se ndante,
Nga shpati i malit vjen melodia,
Deri në fshat era e shpërndante.

Eh, çfarë tinguj fyelli lëshonte,
Sa drithërohej e gjithë korija,
Por në shtëpi Tana e dëgjonte
Ja mbushte shpirtin, melodia.

Këtë vajzë, kish Sheh Belaja,
Si princeshë në shtëpi e mban,
Ëmbëlsi kish në sytë e saja,
Eh, moj Tanë e bukura Tanë.!

Dhe kur bariu fyellit i binte,
Në prag rrinte dhe e dëgjonte,
Se çfarë i thoshte ajo e dinte,
-Tanë, moj Tanë, më prit sonte.!

Kur e dëgjonte që nga larg,
Lotët ngadalë i binin në faqe,
Dhe rrinte ulur aty në prag,
Sikur një lule manushaqe.

Kur dilte Tana, hëna s’kish dal,
Nga Lugu i Shtogut vinte djali,
Nëpër errësirë, ai vrapon si kal,
Nëpër lugina dhe shpatë mali.

Dhe që të dy, takoheshin aty,
Tek Lisi i Zërave, vëndi i priste,
Një mall i madh i digjte të dy,
Dhe në trup si zjarr i zbriste.

Qenë dashuruar menjëherë,
Që kur erdhi në fshat bari,
Eh, ky shpirti i saj i mjerë,
Ndizet lehtë, si prushi në hi.

Fyellin në dorë mban çdo ditë,
Bashkë me delet e qenin pranë,
Kur i bie fyellit i thot; -më prit,
-Do vij sonte, tek ty moj Tanë.

E kur mbrëmja sapo ka zbritur,
Mbuluar muzgu anë e mbanë,
Të dalin hëna se kanë pritur,
Por shpejt gjënden të dy pranë.

Dhe trup me trup të dy u ngjitën,
Duke u shtrirë, pranë një krua,
Dhe nga durimi, më nuk pritën,
Por u zhveshën si burrë e grua.

Të përqafuar, në një gëmushë,
Të dy të zhveshur, në errësirë,
Buzët e djalit e puthnin në gushë,
Ndërsa Tana, duke psherëtirë.

-U bë vonë prandaj duhet ikur, !
I tha djali dhe ngadalë u ngrit,
Por shpirti i Tanës djegur zhuritur,
Me psherëtimë i thot: – më prit. !

Zjarri i zemres, s’mund të shuhej,
Se që të dy, qenë ndezur flakë,
Nga Mulliri i Millonajit hëna po dukej,
Por Tana i thoshte; – prit dhe pak.

S’mund të rrinte më shumë djali,
Por vrapoi për të shkuar në stan,
As errësira nuk mund ta ndali,
Ah, moj Tanë, e bukura Tanë.!

Dhe nëpër errësirë djali vrapon
Si një kalë vrapin kishte marrë,
Dhe kur arriti, hajdutët shikon,
Shikon qenin, shtrirë të vrarë.

Ç’mund të bënte i vetëm djali,
Por u vërsulet si një xhindi,
Dhe ulërin sa u shkund mali,
Kur pa në hell, dashin e zi.

E lidhën djalin tek lisi i gjatë,
Dhe si.ujqër mish dashi hanin,
Si shtrigë qenka sonte kjo natë,
Me hajdutët që vidhnin stanin.

Ju lut djali, kur po e shikonin,
Ta lironin, që ti binte fyellit pak,
Pastaj me të, të bënin ç’të donin,
Në çastin e fundit e kish merak.

Pastaj u ngjit në lisin e gjatë,
Dhe po i binte fyellit me të qarë,
Përhapej melodia nëpër natë,
Dridhej nata si kuçedër e vrarë.

Sa shumë larg, fyelli dëgjohet,
Zgjohen zogjtë, shumë të trembur,
Por dhe fshati nga gjumi zgjohet,
Mos vall bariu, na qënka çmëndur.?

Ç’është ky fyell në mesnatë, ?
Ç’melodi është, që po na zgjon,?
Po habiteshin të gjithë në fshat,
Por askush, nuk po e kupton.

Fyelli binte dhe s’po pushonte,
Zgjohet Tana, e me lot po qan,
Se ishte bariu që po i tregonte,
Çfarë kish ndodhur atje në stan.

Ju ça zemra, çfarë po dëgjon,
U ngrit shpejt, pa patur frikë,
Ndërsa fyelli bie dhe s’pushon,
I thonë Tanës, se është n’rrezik.

       Tanë, Tanë e mira Tanë,
        Zgjoje nënën dhe babanë, 
        Se hajdutët n’stan m’kanë ardhë
        Mua lidhur në lis më kanë,
        Qenin karpic ( të zi ) të parin vranë, 
        Dashin ogiç në hell e kanë,
        Tanë moj, e mjera Tanë
        Zgjoje nënën dhe babanë.
                             ( Popullore )

Por Tana, menjëherë e kuptoi,
Çfarë thoshte djali me melodi,
Shpejt babanë dhe nënën zgjoi,
Mbi kuaj u nisën me shpejtësi.

Nëpër natë, e nëpër errësirë,
Për gjatë Rrugës së Kalëresë,
Eh, kjo natë, s’paska të gdhirë,
Por në legjendë, do të mbes.

Do te mbes, për ty moj Tanë,
Do të mbesin me melodinë,
Të gjithë barinjtë në çdo stan,
Do i bien fyellit për dashurinë.

Përmbi shkëmbinj, po vraponin,
Duhet të arrinin sa më parë,
Patkonjtë e kuajve, xixa lëshonin,
Por edhe Tana duke qarë.

Kaluan pllaja e përrenj kaluan,
Tek Mulliri i Millonajit u ngjitën,
Dhe Lugut të Shtogut iu afruan,
Por ja dhe Stani, sapo arritën.

Dhe përmbi hajdutët u lëshuan,
Që mish dashi, të ulur po hanin,
Dhe bariun të lidhur e shpëtuan,
Shpëtuan delet të gjithë Stanin.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT