Saturday, February 22, 2025
BallinaVitrina e libritMargarita Llapushi Zeneli-I dashur ditar

Margarita Llapushi Zeneli-I dashur ditar

Kur në dorë të mora, e vogël unë isha,
Të shkruaja mbi fletë, dëshirë të madhe kisha.
Si gjënë më të shenjtë doja të ruaja ty,
Të vërtetat e mia t’i thosha në sy.

Besova tek ti çdo ndjenjë që lindte,
Mbi fletët e tua, gjumi shpesh më zinte.
Të bardhën mbi të zezë nuk e kisha frikë,
Gjithmonë ishe i hapur, kurrë s’më thoje “ik”
.
Gëzimin, trishtimin në heshtje pranoje,
Kur mbaronte fleta, në tjetrën më çoje.
S’të gënjeja kurrë, të thosha të vërtetën,
Sekret të mbaja, të besoja gjithë jetën.

Ti nuk mërziteshe, një ditë po të harroja,
Të nesërmen shpejt vendin e plotësoja.
Sa lot e sa dhimbje mbi fletë ke duruar,
Gërmat e lagura duheshin zëvendësuar.

Poshtë jastëkut tim të ruaja unë ty,
Pa të përshëndetur s’vija gjumë në sy.
Në mëngjes kur ngrihesha, me shpresë të lija,
Kur të vinte darka, lajme të mira të sillja.

Sa shumë dashuri ty t’i besoja,
Buzëqeshje dhuruara dot s’t’i shkruaja.
Sa ndjenja në shpirt, puthje e gëzim,
Me fjalë ty ta thashë dhe çdo përqafim.

Si nuk u lodhe të më thuash “ndal”,
Kur të zhgaravisja dhe s’të thashë “më fal”.
Tek ty gjeja veten, ti ishe besimi,
E çiltër me ty, vetë dilte rrëfimi.

Kur të lexoj sot, s’di ç’të mendoj,
Sa shpejt erdhi dita, kaq shumë të vlerësoj.
Gjëja më e çmuar e besimit tim,
Më rikthen ti kohën, më kujton rininë.

Ah, more ditar, ku të gjej si ty,
Një njeri të besës, ta shikoj në sy?
Dyshim mos të kem, jetën t’ia tregoj,
Botën time të brendshme, si ty, dikujt t’ia besoj.

I dashur ditar, e di sa të dua?
E di pse të dua shumë?
Sepse dje unë të rrëfehesha,
Ndërsa sot, rrëfehesh ti tek unë.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT