Në kraharorin tënd dëgjohet zëri i detit,
Jo ai që dëgjohet në breg,
Ato janë dallgët që flasin pa radhë,
Unë them për atë që dëgjohet
Kur lëshohesh i tëri nën të…
Zë i thellë, i një paqje kumbuese,
Që më fton në përhumbje…
Mund të mësohem të jetoj
Zhytur aty, në gjoksin tënd,
Fare lehtë, natyrshëm,
Si nimfat që kanë mijëra vite
Që s’dalin më mbi ujë…
S’u vë faj,
Që nga ajo luftë e madhe
Njerëzit u bënë përherë e më të egjër…