Sunday, February 23, 2025
BallinaVitrina e libritLumni Nimani -Gjuha shqipe

Lumni Nimani -Gjuha shqipe

Gjuhë e shenjtë, gjuhë amtare,
e atij Lekës të madh me nam.
E lashtë; – sa vet malet shqiptare.
Gjuhë e Perandorit Justinian.

Gjuhë e Teutës dhe Agronit,
që udhëhoqën një mbretëri.
Nga Adriatiku e Deti i Jonit.
Kur fund e krye ishte Iliri.

Gjuhë e Gjergj Kastriotit.
Me shpatë i doli ai zot Atdheut.
Je aq e bukur gjuhë e Zotit,
e stërnipërve t’Skënderbeut.

E Gjon Buzukut në Meshar;
e Lekë Matrëngës t’Sicilisë;
prej Zadrimës e Frangut t’Bardhë;
e Pjetër Budit të Gegërisë.

Gjuhë e Bogdanit të Prizrenit,
ku u mbajt Lidhja Shqiptare,
Dhaskal Todrit, Marin Barletit;
Nezim Beratit e Zyko Kamberit.

E Abetares së Veqilharxhit,
pishtarit t’urtë të diturisë,
e De Radës e Kristoforidhit;
Ali Asllanit të Toskërisë.

Gjuhë perëndie e Naimit,
Këtij bylbyli të shqiptarisë,
e Gjergj Fishtës dhe Eposit,
të Lahutës së Malësisë.

E Ndre Mjedës, Filip Shirokës.
Rilindasve, që kombin nderuan,
e Çajupit dhe Pashko Vasës.
Askush si këta më mirë s’i kënduan.

E atdhetar Pandeli Sotirit,
Mësuesit të parë të Arbërisë;
E Bacë Ademit dhe Trim Zahirit,
që i ndërruan faqen historisë.

Gjuhë e këngëve të trimërisë.
Për t’gjithë ata bij dhe bija,
që ranë në altarin e lavdisë
N’zemër prore i mbanë Shqipëria.

“Porsi kanga e zogut n’verë”
Fishta i madh kështu pati thënë,
E Naimi: “Sa e ëmbël sa e vlerë”;
Gjuhë për ne, je Diell dhe Hënë.

As s’ka gurrë që rrjedh më mirë!
As s’ka gjuhë që më bukur tingëllon!
Se sa gjuha shqipe e bekuar e dëlirë.
Fjalë e sajë: shpirtin lëmon –
e zemrën gëzon.

Artikulli paraprak
Artikulli i ardhshëm
TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT