Saturday, June 28, 2025
BallinaVitrina e libritUrtësiLARYSHIA E ETNOSIT, SI PASURI KOMBËTARE

LARYSHIA E ETNOSIT, SI PASURI KOMBËTARE

Shkruan Gëzim Ajgeraj

Rajoni i Opojës është një trevë mjaft e begatshme me krijimtari popullore shqiptare. E folmja, frazeologjia dhe etnosi popullor në përgjithësi, është ruajtur e ruhet edhe në ditët e sotme, edhe atë në masë të madhe bukur mirë.
Pjesë të këtij etnosi na sjell krijuesi Nexhat Ajdini, i cili si në librat e tjerë edhe në këtë libër na i sjell shumë origjinale thëniet, shprehjet, frazat dhe shumëçka tjetër nga etnosi Opojar. Shikuar nga pikëpamja fonetike dhe dialektore, vërehet qartë se shumë fjalë të urta frazeologjike i gjene dhe te trevat e tjera të Kosovës, por ajo që të bie në sy, është e folmja karakteristike e rajonit të Opojës, një e folme e veçantë, që është ruajtur brez pas brezi në këtë trevë. Prandaj, meritë është se krijuesi Nexhat Ajdini po e nxjerr në dritë një thesar të kësaj frazeologjie, që do të zgjojë interesim si te lexuesit, ashtu dhe te studiuesit shqiptarë. Frazeologjia e kësaj ane, në një mënyrë, paraqet fuqinë shprehëse metaforike, të cilën e ruajtën me xhelozi njerëzit e sotëm të Opojës.
Megjithatë, do theksuar se e folmja Opojane ka pësuar ca ndryshime, por qenësore është se nuk ka humbur origjinaliteti i së folmes dhe, ç’është me rëndësi të theksohet, pa marrë parasysh lëvizjet e popullit, ajo ka mbetur e pandryshuar nëpër kohë. Veçori tjetër e kësaj urtie është shprehja e fuqishme metaforike dhe filozofike, karakteristikë e gjithë urtisë popullore shqiptare. Por, duke u kufizuar vetëm në një trevë, siç është ajo e Opojës, mund të konstatohet me shpresë se kjo nuk është e tërë ajo që flitet në këto anë.
Pra, autori i ka hyrë një pune me shumë rëndësi si në aspektin filologjik, ashtu edhe dialektor dhe mjaft interesante, për çfarë mbetet që të punohet edhe më tej në mënyrë profesionale, me dashuri e forcë qytetërimi, që kjo frazeologji të dalë sa më e përfshirë para lexuesit. Libri: ETNOSI POPULLOR NË TREVËN E OPOJËS
(Fjalët e urta e besëtytnitë, fjalët e rralla, urimet, mallkimet, betimet, dhe kafshët e frazeologjia), është vetëm një kapitull i tërë asaj që flitet jo vetëm në këtë trevë, por edhe më gjerë.
Megjithatë, karakteristikë e përgjithshme e këtij etnosi si nga pikëpamja fonetike, leksikore dhe dialektore është fuqia metaforike e të kuptuarit të saj. Ajo që është sjellë brenda këtij libri, autori shihet se i ka hyrë një projekti të madh, me vlerë të shumëfishtë filozofike e letrare, një libër që do të duhej mbase të pasurohet edhe më tepër, duke shënuar edhe më denjësisht të folmen e Opojës, të bëhet një fjalor të fjalëve të rralla, në mënyrë që lexuesi i sotëm ta kuptojë më lehtë secilën fjalë apo shprehje.
Megjithëse, në kohën e sotme etnosi kulturor paraqet dhe mjaft anë të vështira për t’u mbledhur, autori e këtij libri ia kanë dalë që të kryejnë një pjesë të punës, por mbetet që të vazhdojë më me ngulm, që të kërkohen edhe mjaft shprehje të cilat kanë mbetur pa u përfshirë në këtë vëllim.
E veçanta e këtij libri është se autori bashkë me urtinë e kësaj ane, e mbledhë edhe frazeologjinë e kafshëve, që është gjithashtu një pasuri shumë e çmuar brenda përbrenda kulturës dhe etnosit të popullit.
Duke e shpalosur edhe këtë lëmi të këtij etnosi, gjejmë shprehje dhe metafora shumë interesante, të cilat janë ruajtur e kultivuar në popull, dhe neve sot na mbeten si dëshmi e dokument i pasurisë së gjuhës, e aq më tepër për studiues të kësaj fushe, nga e cila ka shumëçka të hulumtohet e studiohet. Njëkohësisht këto janë një tregues i mirë edhe për kulturën e komunikimit ndërnje-rëzor, që është përdorur në përditshmërinë e tyre. Pra sa kanë vlera të çmuara për etnosin, ato ruajnë brenda vetes edhe një kulturë e traditë që është kultivuar me shekuj, dhe ka bazamentin e mendimit në popull.
Brenda librit kemi edhe mallkimet, urimet, betimet e besëtytnitë, të cilat gjithashtu veç sa e plotësojnë misionin e mbledhjes së këtij etnosi, duke e sjellë atë bashkë brenda këtij libri. Jemi shumë të sigurt se autori Nexhat Ajdini, do të ishte më i dëshirës ti ndante ato në disa lira studimor veç e veç, por rrethanat e sotme dhe faktorët e tjerë, autorit ia diktojnë që Ai këtë qasje ta përmbledhë në një libër. Dhe ne vlerësojmë se autori ka bërë një punë të shkëlqyeshme në mbledhjen e kësaj pjese të etnosit, ku edhe brezat që po avancojnë drejtë trendeve të tjera kulturore, të kenë mundësi ta shfletojnë një pjesë nga e kaluara dhe e sotmja e jonë.
Mendojmë se ky libër, si tërësi, ka një nivel shumë të arrirë në fushën albanologjike dhe njëherësh është një dokument që pasuron shkencën shqiptare nga fusha e dialektologjisë, folkloristikës dhe etnosit në përgjithësi.

Gëzim Ajgeraj, shkrimtar, Zvicër, janar, 2020

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT