Saturday, August 2, 2025
BallinaVitrina e libritCikël poetik me vargjet e poetit Muzafer Ramiqi

Cikël poetik me vargjet e poetit Muzafer Ramiqi

Poeti Muzafer Ramiqi lindi në Pozheran të Vitisë, më 31 gusht 1967. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse dy vitet e para të shkollës së mesme, në vendlindje kurse dy vitet e fundit në Viti, në vitin shkollor 1985-86. Studimet i filloi në vitin akademik 1987/88 (pas përfundimit të shërbimit të detyrueshëm ushtarak), u regjistrua në Fakultetin e Mjekësisë – Mjekësi e Përgjithshme në Prishtinë, ku ka absolvuar, por shkaku i rrethanave politike nuk ka arrit ta përfundoj. Pastaj ka studjuar “Menaxhimin e Burimeve Njerëzore” dhe ka master në Menaxhment. Ajo që e dallon figurën e Muzafer Ramiqi është krijimtaria letrare. Ai mirret me shkrime, kryesisht me poezi, që nga rinia e hershme. Si i ri, krijimet e tij janë botuar në revistat e asaj kohe si: “Zëri i rinisë”, “Refleksi”, Bota e re” etj. Ai ka botuar katër përmbledhje me poezi dhe një libër monografik/antologjik/historik Muzafer Ramiqi, poashtu, përveç shkrimeve është marrë edhe me recensione dhe redaktime të autorëve tjerë kështu është redaktor dhe recensent i mbi 10 librave të autorëve tjerë. Krijimet e tij janë të përkthyera në shumë gjuhë të botës si atë angleze, rumune, frënge dhe kineze. I. Vepra të botuara 1. “Anemia e kujtimeve”, Shtëpia botuese Asdreni, Shkup, 1997; 2. “Mendoj për ty”, Shtëpia botuese “Buzuku”, Prishtinë, 2003; 3. “Portat e heshtjes”, Shtëpia botuese “Prishtina Press”, Prishtinë, 2011; 4. “Dashuri në shtegtim”, Shtëpia botuese “Meshari”, Prishtinë 2019 5. ‘Autorët e komunës së Vitisë”, Shtëpia botuese “Lena”, Prishtinë, 2021 (libër ku janë përmbledhë gjithë autorët nga komuna e Vitisë që nga botimi i parë e deri në vitin 2021) dhe 6. ‘Tingujt e erës”, Shtëpia botuese “Tenda”, Prishtinë, 2024 Ka në dorëshkrim punime tjera Tani është nënkryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Krijuesve “Ramadan Musliu – Dani” në Viti Jeton në Prishtinë, me bashkëshorten dhe fëmijët e tyre

I HUAJ NË RRUGË

Në rrugët e mia, ec i shkujdesur
Nganjëherë fishkëlloj sa
Për të thyer monotoninë
Shikoj njerëzit që nuk më njohin
Ndjenja e të panjohurës
Më ngjallë kërshërinë

Kërshëria e njerzve sillen si re
Kuturu
Zvarritem rrugëve të panjohura
Nuk e di nga të drejtohem
Druhem të kthehem prapa
Si të rikthehem
Rrugët që dikur i njihja
Tashmë janë mbyllur me dry

Ndër herët e rralla kur bredh kaq lirshëm
Skutave, kujtoj
Errësirat edhe hijet kanë hijeshi të zezë, futë
Krejt vetëm
Shoqëruar nga shikime tinzake

Aty të vijat e drejta bëj hapa zik-zake
Më shikojnë me kërshëri
I vetëm dhe i huaj, herë herë i paformë
Ata të gjithë duken të njëjtë
Secili ngjan me tjetrin
Kanë të njëjtën uniformë

Në rrugët e mia ec i shkujdesur
Nganjëherë fishkëlloj sa për të thyer monotoninë
Në rrugë, ndjehemi të zbrazët, të huaj
Kur kemi humbur dashurinë..

ÇDO GJË KALON

Era pamëshirshëm bart gjethet
Si në një valle vjeshtore
që na duket se kurrë nuk mbaron
Por, vjen dimri dhe vjeshta me vallen e saj shkon
Në këtë jetë çdo gjë kalon.

Çdo furtunë që vie jetën na e shkund e trazon
Ne na duket se acari kurrë nuk mbaron
Por, ashtu si vjen ashtu edhe shkon
Në këtë jetë çdo gjë kalon.

Kur në jetë na vijnë sfidat e mundimet
Na ngushtohet bebza e syve e mendja stopon
Edhe pse shumë vjeshta e dimra kemi kaluar, harrojmë
Se në këtë jetë çdo gjë kalon.

Vetëm gjurmët e fjalëve, në letrat e zverdhura qëndron
Vepra sado e vogël por me shpirt, me shpirtin jeton
Njeriu edhe pse më i fortë se guri
Më në fund, tekefundit, krejt në fund këtë e kupton
Se në këtë jetë çdo gjë kalon.

PËRPJEKJE

Jam duke u përpjekur, të mos hap kutinë e ndryshkur
Ku ndryej fjalët që nuk dua t’i them, as që ti s’don t’i dëgjosh
Erdh koha, kur edhe ti u bëre si të tjerët
Që dëshiron të ecësh një hap para kohës, e prap kohës nuk ia di vlerën

Jam duke u përpjekur që të mos harroj rrugën, që dikur dija me symbullur
Më duket se dhe shenjat e trafikut janë kthyer mbrapsht dhe pa një rregull
Dhe lagjja ku njihja dhe skutat më të errta dhe kur dritat ishin fikur
Sepse tash edhe ti u bëre si tjerët e as unë më nuk jam si dikur

Jam duke u përpjekur t’i hesht mendimet e mia të zhurmshme
Por as heshtja nuk do të ndihmonte të mbetesh ai që ishe
Tash, edhe nëse zgjidh grykën e mendimeve edhe pse jam përpjekur
Ti më nuk bëhesh ai që ishe, aq sa mund të ngjallet një i vdekur..!

Artikulli paraprak
Artikulli i ardhshëm
TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT